E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Strasburgu" bllokon seancën plenare

Prania e pesë deputetëve të djathtë në punimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së ka bërë të pamundur realizimin e kuorumit

TIRANË - Mazhoranca ndjen vështirësi për të vepruar normalisht në jetën parlamentare. E ndërsa mbledhjet e komisioneve kuvendore tashmë janë kthyer në një aktivitet antiligjor për shkak se asnjëri prej drejtuesve të tyre nuk denjon të respektojë dispozitën e rregullores për kuorumin e nevojshëm, prej dy javësh një tjetër dispozitë e ngjashme në përmbajtje, por jo më e rregullores, por e Kushtetutës ka paralizuar funksionimin e Kuvendit në seancë plenare.

Mungesa e numrave të deputetëve, jo vetëm të opozitës, por edhe atyre të djathtë, ka detyruar dje shumicën qeverisëse që të shtyjë miratimin e të gjitha projektligjeve të parashikuara në kalendarin e punës dhe rendin e ditës së këtij institucioni në seancë plenare.

Seanca

Mungesa e një numri të konsiderueshëm deputetësh të djathtë ka bërë të pamundur për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të zhvillojë një seancë normale plenare, ku të respektoheshin të gjitha pikat e rendit të ditës.

Mosprania që në fillim e deputetëve, Ilir Rusmali, Lajla Përnaska, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Arenca Trashani, të cilët gjendeshin në Strasburg, duke marrë pjesë në seancën e parë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por edhe e shumë deputetëve të tjerë, përfshi këtu kryeministrin Sali Berisha dhe Zëvendëskryeministrin Ilir Meta, nuk ka bërë të mundur që gjatë seancës së djeshme të arrihej kuorumi i duhur prej 71 të zgjedhurish për të hyrë në proces votimi të projektligjeve.

Madje, Topalli e vetëdijshme për këtë numër të cunguar deputetësh as ka provuar fare që të masë pjesëmarrjen me tabelën elektronike.

Për këtë arsye në seancën e djeshme ajo është mjaftuar vetëm me diskutimet jashtë rendit të ditës, të cilat iu kushtuan thuajse të gjitha rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe akuzave ndaj PS-së dhe liderit të saj për çështjen e bojkotit. Madje, ajo për pak çaste ka ndërprerë diskutimet për të ndjekur prej ekranit konferencën për shtyp që jepte në atë kohë nga selia rozë, Edi Rama.

Projektligjet

Si për ironi të fatit, në seancën e djeshme plenare ishin parashikuar jo pak, por plot 11 projektligje, të cilët nuk mundën të merrnin votën për t'u kthyer në ligje, një pjesë e konsiderueshme e tyre tepër të rëndësishme për çështjet që trajtonin.

Kuvendi është përfshirë vetëm në diskutimin e tyre në parim, duke marrë vetëm pëlqimin e krerëve të grupeve dhe përfaqësuesve të komisioneve parlamentare, pa mundur më pas të kalojë në proces votimi.

Kështu numrat e cunguar kanë lënë pa u miratuar projektligje të tilla si akti normativ "Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.025, datë 27.11.2008 "Për buxhetin e vitit 2009" të ndryshuar", apo edhe projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar".

Pa u miratuar ka mbetur edhe projektligji "Për Autoritetin e Aviacionit Civil", pavarësisht se gjatë diskutimit të tij në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në fillim të kësaj jave, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, kërkoi kalimin sa më parë në seancë plenare.

Gjithashtu, në seancën e djeshme ishin programuar të kalonin edhe drafti "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore" të ndryshuar", i cili parashikon shpalljen e 8 dhjetorit festë kombëtare zyrtare, si dhe projektligji për "Moratoriumin për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë", i njohur ndryshe si moratoruimi i skafeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›