E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta: Të hetohen zgjedhjet Opozita të futet në Kuvend

KiE njeh krizën politike në Shqipëri. Rrëzohen 7 amendamente nga 10 të propozuara për të ndryshuar rezolutën për Shqipërinë nga delegacioni i PD-së

STRASBURG - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i kërkoi dje Komitetit të saj presidencial që të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Pas miratimit të rezolutës me debate të dy raporterëve Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG), Asambleja Parlamentare doli edhe me një njoftim zyrtar dje në mbrëmje, ku thuhet se Komiteti i saj presidencial, në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Uillshire të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik atje.

Në njoftimin zyrtar të publikuar mbrëmë në sitin e Këshillit të Europës thuhet se Asambleja shpreh keqardhjen që "kriza politike ka dëmtuar rëndë politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, ku Partia Socialiste ka bojkotuar parlamentin dhe kontestuar legjitimitetin politik të Partisë Demokratike në qeveri".

Në njoftimin zyrtar thuhet se për t'i dhënë fund këtij bllokimi politik, Asambleja i bëri thirrje qeverisë shqiptare për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar për hetim të zgjedhjeve. Asambleja shpreh keqardhjen që mungesa e dialogut parlamentar

e ka bllokuar procesin e reformës, qe kur shumica qeverisëse nuk ka shumicën e tre të pestave e nevojshme për të kaluar reformat kryesore kushtetuese. Në deklaratën zyrtare, Asambleja i kërkon opozitës që të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë plotësisht në punën e saj. Komiteti Presidencial përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, krerët e grupeve politike dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë.

Rezoluta

Asambleja e Këshillit të Europës nëpërmjet votimit të draft-rezolutës të përgatitur pak kohë më parë nga raporterët Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshir (Mbretëria e Bashkuar, EDG) konfirmoi dje krizën politike në Shqipëri, domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të Qershorit, ndërhyrjen e Presidentit Topi për të zgjidhur krizën politike, si dhe dhënien fund sa më parë të bojkotit ndaj Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Këshilli i Evropës, cili votoi rezolutën e hartuar nga dy raporterët e këtij institucioni, Jako Laasko dhe David Uillshajër, rrëzoi 7 nga 10 amendamentet e paraqitura nga përfaqësuesi i delegacionit shqiptar, Ilir Rusmali.

Asambleja hodhi poshtë amendamentin e Rusmalit që kishte të bënte me pretendimin e delegacionit shqiptar për të mos përfshirë Presidentin Topi në zgjidhjen e krizës politike, gjë që është kundërshtuar nga raporteri Lakso, i cili ka cilësuar se ky është një amendament themelor.

"Ajo që ne kemi kërkuar është që ne të angazhohemi duke mbështetur Presidentin Topi, në rolin që ai mund të luajë për të zgjidhur këtë krizë politike", - është shprehur ai.

Kështu në rezolutën përfundimtare thuhet se, Presidenti Bamir Topi, duhet të luajë rolin e ndërmjetësit dhe të mbledhë së bashku partitë politike shqiptare për të diskutuar gjetjen e zgjidhjes së kësaj krize. Për sa i përket ngritjes së komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, Rusmali theksoi se komisioni mund të ngrihet vetëm brenda kuadrit ligjor sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

"Ne kemi një Kushtetutë në vendin tonë, kemi një kuadër ligjor, kemi vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kemi rënë dakord që në fillim për krijimin dhe ngritjen e një komisioni hetimor. Por, zoti Rama është kundër kësaj", - tha Rusmali. Por, i menjëhershëm ka qenë kundërshtimi i raporterit britanik, David Uillshire, sipas të cilit, kufizimet për procesin hetimor e ndërlikon edhe shumë situatën.

Një nga amendamentet e tjera që miratoi Asambleja e Këshillit të Europës ishte edhe amendamenti numër 8, sipas të cilit duhet përdorur termi "krizë politike", pasi sipas argumenteve të paraqitura nga raporterët, në vendin tonë ekziston një krizë në tillë.

Me gjithë kërkesën e delegacionit shqiptar për të hequr termin "krizë" thuajse në çdo amendament të paraqitur, Asambleja miratoi propozimin e paraqitur nga David Uilshire, sipas të cilit, u hoq vetëm termi "i ashpër" dhe u lejua fjala "krizë".

Në të njëjtën kohë, ashtu siç u publikua edhe në sitin zyrtar të Këshillit të Europës, Asambleja hodhi poshtë amendamentin Rusmali, sipas të cilit, nuk është e nevojshme që të thërriten raporterët e Këshillit të Europës në Shqipëri. Por, ndryshe nga kërkesa, Asambleja ka vendosur që në Shqipëri të vijë një delegacion i zgjeruar, pikërisht komiteti presidencial i shoqëruar nga dy raporterët, Lakso dhe Uilshire.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›