Rama: Nuk heqim dorë nga bojkoti pa u zgjidhur kriza

Kryetari i opozitës tha se Berisha nuk mund të blejë, duke ofruar thasë me para, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
TIRANË - Partia Socialiste nuk do të bëhet pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në rast se nuk zgjidhet kriza politike përmes hapjes së kutive të votimit. Vetëm pak orë pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Europës për Shqipërinë, ka reaguar kryetari i PS-së, Edi Rama, përmes një konference për shtyp.
"Rezoluta e Këshillit të Europës e miratuar pak orë më parë është e qartë: Shqipëria është në krizë politike. Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit.
Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza. I falënderoj në emër të PS-së dhe të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për mbështetjen që i dhanë vendit duke vënë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së sotme dhe rrëzimit të amendamenteve vulgare të Partisë Demokratike.
Ato po, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë europiane. Mirëpresim njëkohësisht përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës siç thotë edhe Rezoluta. Beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje", - tha dje Rama.
Vendimi i Kushtetueses
Kanë kaluar tre ditë nga vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për rinegocimin e marrëveshjes detare me Greqinë dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha nuk ka mbajtur ende një qëndrim. Në mungesë të këtij qëndrimi, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se kryeministri i vendit po merret me shpifje ndaj opozitës.
"Ndërkohë që merr shuplakën e gjashtëmbëdhjetë nga Gjykata Kushtetuese në katër vjet, Sali Berisha jo vetëm nuk i thotë popullit të vet gjysmë fjale për këtë fakt të rëndë, që flet vetë për shkallën e demokracisë dhe të transparencës të qeverisjes në Shqipëri, po ka paturpësinë të dalë
para popullit për t'i bërë gjyqin e shpifur të radhës opozitës.
Protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptani të veshur me dopiopet që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua momentin e fundit nga gjykatësit falë nismës së kësaj opozite.
Të cilën Sali Berisha duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se as e nënshtron dot duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut", - tha Rama, duke shtuar se beteja për demokracinë vazhdon edhe me më shumë bindje e forcë se dje.
Ahmetaj: Rezoluta kërkon hetim të plotë
Strasburg - Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, i cili është pjesë e delegacionit të PS-së, që po zhvillon takime në Strasburg, u shpreh dje se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kaloi një raport shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, që do t'i hapë rrugë zgjidhjes së krizës politike në vend.
Duke vlerësuar rolin që do të ketë kjo rezolutë, Ahmetaj u ndal të sqaronte pozicionin aktual të Partisë Socialiste. "PS-ja nuk është për bojkot, ne e kemi pasur të imponuar situatën e bojkotit, ngritja e një komisioni parlamentar, që do të hetojë zgjedhjet do të rregullojë situatën pasi ne do të shkojmë në parlament, kur të jetë bërë transparenca e plotë, gjë kjo që theksohet edhe në rezolutën e KiE-së" - nënvizoi deputeti socialist.
Duke u ndalur në amendamentet e miratuara dhe pikërisht në amendamentin nr. 5, sipas të cilit, kërkohej që hetimi parlamentar të bëhej në bazë të Kushtetutës, Ahmetaj deklaroi se "hetimi parlamentar në përputhje me Kushtetutën, ishte një amendament juridik. Normalisht që PS-ja hetimin e kërkon në përputhje me Kushtetutën.
Nëse do t'i referohemi projekt rezolutës do të kemi hetim të plotë të zgjedhjeve. Kjo rezolutë reflekton qëndrimin e mazhorancës dhe përgjegjësinë për të zgjidhur krizën", - tha Arben Ahmetaj.
Debati i plotë i rezolutës së miratuar dje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së
Rezoluta e Këshillit të Europës
David Willshire: Pas zgjedhjeve të Qershorit hartimi i një raporti për Shqipërinë ishte i domosdoshëm. Por, meqenëse kriza në Shqipëri ende vazhdon, ky raport nuk është i plotë. Këshilli i Evropës ende po kërkon ndryshime në Shqipëri, ndryshime të cilat akoma nuk janë bërë për shkak të krizës politike. Kriza po i bezdis, po i mërzit njerëzit në Shqipëri.
Ne besojmë se në Shqipëri vërtet ka një krizë. Ne jemi këtu për të kërkuar një angazhim të madh të Këshillit të Europës për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri. Në këndvështrimin tim dhe atë të kolegut tim, ka ardhur koha që disa duar duhet të shtrëngohen, që nënkupton kërkesën ose një këshillë për një kompromis nga ana e liderëve shqiptarë.
Bojkotimi i Parlamentit nuk është demokratik dhe kjo duhet të marrë fund. Qëllimi i raportit është që të fokusohet tek kriza, e cila ekziston aktualisht në Shqipëri. Ne mendojmë se ka ardhur koha që Këshilli i Europës të luajë rolin e tij, të angazhohet për zgjidhjen e kësaj krize dhe duhet të kemi parasysh që në Shqipëri të kthehet demokracia e institucioneve që funksionojnë.
Jako Lassko: Duket se fjala krizë në Shqipëri ka një kuptim tjetër nga ajo që ka këtu në Strasburg. Të bojkotosh Parlamentin do të thotë të mos marrësh pjesë në aktivitetin e tij. Është një krizë politike e rëndë. Partia qeverisëse dhe opozita duhet patjetër që të dialogojnë midis tyre.
Duhet të ketë një dialog mbi bazë ditore midis koalicionit qeverisës dhe opozitës. Në Shqipëri, së fundmi, ka pasur shumë protesta dhe mijëra vetë kanë marrë pjesë në protesta kundër koalicionit qeverisës. Më e mira do të ishte që problemet të zgjidhen me dialog dhe brenda Parlamentit. Ne mendojmë se është gjëja e duhur që të përdorim termin krizë politike.
Kjo do të thotë se Këshilli i Europës është i pranishëm në Shqipëri. Kemi një eksperiencë të gjatë në angazhimin tonë në Shqipëri, për situata të tilla politike. Komiteti i Këshillit të Europës vizitoi Shqipërinë në vitin 1997, ku paraqiti një sërë rekomandimesh.
Në atë kohë Shqipëria përballej jo vetëm me një krizë politike por edhe një krizë e rëndë ekonomike. Por, rekomandimet që u bënë nga Këshilli i Europës u morën parasysh dhe krahët politikë në Shqipëri ishin të gatshëm të zhvillonin dialog për të zgjidhur krizën politike në atë kohë.
Ka pasur një sërë rastesh për ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin ndërkombëtar për zgjidhjen e situatave të tilla krizash të ndaj ne mendojmë se një angazhim i madh i Asamblesë parlamentare e Këshillit të Europës është i nevojshëm në këtë moment.
Unë mendoj që ne duhet të mësojmë nga gabimet tona. Kur Këshilli i Europës nuk ka qenë në prani të krizave të tilla ka pasur vështirësi shumë të mëdha, duke u dashur një punë shumë e madhe për të zgjidhur më pas ato. Duke mësuar nga këto gabime, mund t'i zgjidhim.
Ilir Rusmali: Këto zgjedhje u bënë me një sistem elektoral që u kërkua nga opozita. Asnjë problem nuk u vu re me kartat e identitetit dhe listat e votuesve. Çdo votë e vetme është numëruar me regjistrime video.
Ndërkohë që komisionerët të dyja palëve i certifikuan zgjedhjet. Të gjithë komisionarët, si të partisë në pushtet ashtu edhe atë të opozitës, i firmosën procesverbalet pa kundërshtime. Zgjedhjet përmbushën shumicën e standardeve.
Nuk pati asnjë provë që të vërtetonte që ka pasur parregullsi në zgjedhje. Këto zgjedhje janë zgjedhjet më të mira që vendi ka pasur ndonjëherë, por ndërkohë opozita nuk pranon verdiktin e popullit vetëm, sepse ajo nuk ka mandatin e qeverisjes. Unë mendoj se lideri i opozitës nuk i respekton rregullat e demokracisë, sepse ka një problem me respektimin e tyre.
Ai refuzon ligjin elektoral edhe pse e ka kërkuar atë. Ai refuzon administratën elektorale. Ai refuzon parlamentin, edhe pse në fillim e njohu rezultatin. Ai e di se vendimet e gjykatave nuk mund të ndryshohen me mjete të tjera përveç atyre demokratike.
Ai refuzon të paraqesë prova në zyrën e prokurorisë edhe pse thotë se ka shumë të tilla për parregullsi në zgjedhje, ai refuzon t'i paraqesë ato. Ai nuk po merr parasysh as edhe kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë fund bojkotit. Situata më Shqipëri nuk është edhe aq e dëshpëruar, sepse thirrjet për të lënë bojkotin po vijnë nga të gjitha anët, këto thirrje duhen dëgjuar.
Për këtë arsye ne e mbështesim rezolutën por duam që të ketë edhe shumë amendamente në të. Delegacioni shqiptar që është i pranishëm këtu, i lutem që të votojë amendamentet, sepse ne jemi njerëzit që jetojmë aty dhe e dimë me siguri që në Shqipëri nuk mund të kthehet më situata e vitit 1997.
Lajla Përnaska: Unë sigurisht jam pro draftit të kësaj rezolute. Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më tej. Unë i bëj thirrje liderëve politikë për një dialog, për një mirëkuptim midis tyre. Por, kur mendoj për rezolutën, e kam fjalën për amendamentet. Shqipëria ka nevojë për këto amendamente.
Ajo me të cilën po përballemi tani në Shqipëri është se lideri i një partie kërkon të luajë me politikën pa i respektuar rregullat e politikës. Ai po synon të përmbushë qëllimet e tij personale duke rrezikuar progresin në këtë vend. Ai po ushtron një presion të madh brenda partisë së tij për të vazhduar bojkotin ndaj Parlamentit. Institucionet në Shqipëri po bëjnë punën e tyre.
Por, ne u bëjmë thirrje, kolegëve tanë socialistë që të ushtrojnë mandatin e tyre në Parlament, të diskutojnë dhe të bashkëpunojnë me ne. Opozita po i refuzon institucionet kushtetuese. Nuk mund të krahasojmë atë që është e pakrahasueshme.
Të flasësh për një krizë politike është njësoj si të flasësh për djallin. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet ta quajmë këtë një krizë. Kemi një situatë politike të tensionuar në Shqipëri, por kjo do të kapërcehet nëse ne e përshkruajmë atë në mënyrë realiste dhe do të gjejmë zgjidhjet.
Raporteri Willshire: Raporti ynë ishte jo shumë i qartë, pasi prekte vetëm disa pjesë, por jo të gjitha çështjet. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e legjitimuar bojkotin. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të dërgojmë një mesazh të fortë me anë të kësaj rezolute që është paqja dhe stabiliteti politik.
Shqetësimet tona janë të mëdha për ardhmen e këtij vendi. Zonja Pënaska tha që nuk duhet dramatizuar situata. Nuk jam dakord me të, sepse ne kemi 6 muaj që themi që situata në Shqipëri është dramatike. Ndaj unë ju ftoj që të votoni kundër këtyre amendamenteve dhe të votojmë vetëm rezolutën.
Raporteri Lassko: Këto amendamente duhet të votohen pasi ne duhet të solidarizohemi me situatën politike në Shqipëri dhe opozita duhet t'i japë fund bojkotit. Ne duhet të jemi atje për të zgjidhur krizën politike. Unë mendoj se mosmiratimi i këtyre amendamenteve është një mënyrë e keqe solidarizimi në Shqipëri. Palët duhet të dialogojnë për të zgjidhur këtë situatë.
Amendamentet e paraqitura dje nga kryetari i delegacionit të PD-së, Ilir Rusmali
Amendamenti I (refuzohet)
Ilir Rusmali: Është qartë nga debati politik se kushdo që të përcaktojë fjalën krizë në Shqipëri i referohet situatës së krijuar në Shqipëri në vitin 1997. Prandaj, kjo është arsyeja që ne duhet ta heqim fjalën "krizë", sepse gjithmonë situata aktuale nënkuptohet me të.
Lassko: Kjo krizë është politike, por jo institucionale. Natyrisht ne mund ta lehtësojmë duke hequr fjalën "paralizoj" me fjalën "dëmtoj".
Presidenti i Komitetit: Komiteti është kundër amendamenti numër 1. Amendamenti është rrëzuar.
Amendamenti II (rrëzohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali për të mbrojtur amendamentin e dytë.
Rusmali: Faleminderit zoti President! Situata politike në Shqipëri nuk është bllokuar. Puna e institucioneve politike në Shqipëri nuk është bllokuar. Po përpiqemi që të përmbushin të gjitha standardet.
Raporteri Willshire: Përjashtimi nuk është bllokim. Faktet janë shumë të qarta e shumë të sakta. Nuk besoj se miratimi i amendamentit është mënyrë e duhur për të shmangur këtë situatë politike. Nga ky amendament duhet të hiqen disa fjali. Pra, unë jam kundër këtij amendamenti.
Amendamenti rrëzohet
Për ndryshimin e termave të propozuar nga raporterët
Willshire: Ne jemi dakord që të vendosim fjalë në mënyrë xhentile në këtë projektrezolutë.
Presidenti i Komitetit: Jemi në favor të këtij ndryshimi.
Amendamenti i III (rrëzohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin e tretë.
Rusmali: Të gjitha këto unë i thashë në amendamentin e parë dhe mendoj se nuk ka nevojë që të bëhem përsëritës.
Jakko Lassko: Unë jam kundër këtij amendamenti, sepse flitet a ka një krizë politike apo jo.
Presidenti i Komitetit: Amendamenti numër tre është rrëzuar gjithashtu.
Amendamenti nr. IV (rrëzohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin e katërt.
Rusmali: Votimi dhe diskutimi këtu po bëhet pak monoton dhe kam frikë se edhe unë po bëhem monoton gjithashtu. Por, unë mendoj se ky amendament bazohet pikërisht në atë që ne kemi të drejtën të themi gjërat ashtu siç janë, të japim ndryshimet... Të hiqet
termi krizë e ashpër.
Presidenti i Komitetit: Votimi u mbyll dhe amendamenti numër katër rrëzohet.
Amendamenti nr. 5 komisioni hetimor (pranohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin e pestë.
Rusmali: Zoti President! Ne kemi një Kushtetutë në vendin tonë, kemi një kuadër ligjor, kemi vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kemi rënë dakord që në fillim për krijimin dhe ngritjen e një komisioni hetimor.
Por, zoti Rama është kundër kësaj. Rama kërkon një komision hetimor, por me synime të pista politike. Ne jemi kundër kësaj, pasi komisioni hetimor duhet të mbështetet në kuadrin ligjor.
David Willshire: Ky amendament i bën gjërat më të vështira dhe jo më të lehtë. Në qoftë se vendos kufizime për hetimet, atëherë gjërat bëhen gjithnjë e më shumë të vështira.
Presidenti i Komitetit: Votimi mbyllet amendamenti numër pesë miratohet
Amendamenti nr. 6 Roli i Presidentit (rrëzohet)
Rusmali: Ky amendament ka të bëjë me rolin e Presidentit të Republikës. Ne duam që ai të jetë aktiv, të ushtrojë pushtetin dhe fuqinë e tij brenda autoritetit të tij. Ne besojmë se ka një shans për ne për ta zgjidhur këtë krizë.
Raporteri Lassko: Ky është një amendament themelor. Ajo që ne kemi kërkuar është që ne të angazhohemi duke mbështetur Presidentin Topi, në rolin që ai mund të luajë për të zgjidhur këtë krizë politike. Raporterët janë kundër këtij amendamenti, sepse më e mira është që ne ta mbështesim Presidentin që ai të luajë rolin e tij.
Presidenti i Komitetit: Votimi mbyllet amendamenti numër gjashtë rrëzohet.
Amendamenti nr. 7 (pranohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin numër shtatë.
Rusmali: Ne nuk jemi dakord që ju t'u japim gjërave emra të ndryshëm nga ato që kanë. Bëhet fjalë për një situatë të tensionuar, por jo për një krizë politike. Duhet të hiqet termi "kriza politike penalizon integrimin"
Amendamenti 7 pranohet (zëvendësohet me dëmtim serioz)
Amendamenti nr. 8 (pranohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin numër tetë, keni 30 sekonda kohë.
Rusmali: Ne kemi kaluar një hap më tej. Në tekstin e rezolutës ne e konsiderojmë një krizë të ashpër, të rëndë, por jo një krizë politike. Ne kërkojmë një tjetër formulim për këtë. Shpresojmë që Asambleja ta miratojë këtë kërkesë.
Raporteri Wilshire: Ne ende besojmë se fjala "krizë" duhet të përdoret. Ne mund të pranojmë që të hiqet vetëm fjala e "ashpër" dhe të mbahet paragrafi me fjalën "krizë".
Votimi mbyllet amendamenti numër 8 miratohet me këtë ndryshim (të hiqet termi i ashpër)
Amendamenti nr. 9 (rrëzohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin numër nëntë.
Rusmali: Ne kërkojmë zgjidhje që të japin fryte. Ne kërkojmë zgjidhje efektive...
Lassko: Ne gjithmonë duam të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e këtyre situatave. Ne kontaktojmë me përfaqësuesit e trupit diplomatik të vendeve ku ka situata të tilla. Unë mendoj që duhet të punojmë me diplomatët që janë në këto vende dhe kjo është arsyeja pse ne jemi kundër amendamentit që paraqiti zoti Rusmali.
Komiteti shprehu mendimin kundër amendamentit të paraqitur nga zoti Rusmali.
Amendamenti nr. 10 (rrëzohet)
Presidenti i Komitetit: Ftoj zotin Rusmali që të mbrojë amendamentin numër dhjetë.
Ilir Rusmali: Nuk është e nevojshme që të thërrasim raporterët e Këshillit të Europës në Shqipëri.
Raporterët duhet të shkojnë në vendet që kanë shkelur obligimet dhe detyrimet apo angazhimet që kanë ndërmarrë pranë organizatave si Këshilli i Europës. Shqipëria nuk është duke i shkelur ato. Shqipëria është një demokraci dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet thërritur raporterët në Shqipëri.
Rapoteri Lassko: Kam pasur një përvojë të gjatë në vende si Shqipëria dhe e shoh të arsyeshme që raporterët të kenë hapësirë sërish në Shqipëri.