E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bala: Në '76 -ën, Manush Myftiu më internoi me letra anonime

Përplasjet mes Ministrisë së Kulturës dhe Komitetit të Partisë së Tiranës për kompetencat në drejtim të institucioneve artistike të kryeqytetit në vitin 1976 arritën kulmin. Në këtë situatë, zëvendësministri Mantho Bala kërkoi pranë ministrit të tij, Thoma Deljana, dorëheqjen. Ministri nuk e pranoi, por së bashku me të bënë një takim të fuqishëm me Sekretarin e Parë të Partisë së Tiranës, Manush Myftiun, për të ndarë gjërat një herë e mirë. Kaq mjaftoi, që dy javë më vonë në dikasterin e tyre të provokohej një mbledhje partie nga Myftiu, dhe Mantho Bala, që kishte treguar guxim dhe kurajë në përplasje mbi tavolinë të të gjitha gjërave, e pa veten jashtë dyerve të ministrisë dhe partisë njëkohësisht. Dy letra anonime kishin mjaftuar për ta cilësuar imoral, ndërkohë që pjesëmarrja e aktorit të shquar Robert Ndrenika në filmin me temë nga Sigurimi, "Fijet që Priten", do të mjaftonte për ta cilësuar Thoma Deljanën se zbuste Luftën e Klasave. Kështu, ai do të përfundonte i internuar në Kosovë të Elbasanit. Për më tepër të ndjekim vetë intervistën e mëposhtme të vetë zotit Mantho, dhënë ekskluzivisht për "Gazeta Shqiptare"
.
(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Mantho, më folët shumë nga intervistat e kaluara për problemet e fuqishme që të ishin krijuar me Komitetin e Partisë së Tiranës, nga i cili vareshit politikisht si dikaster i Ministrisë së Kulturës. Doja të dija se Manush Myftiu u influencua vetëm nga Fadil Paçrami që ishte egërsuar aq shumë me juve, nga sa po më dëshmoni, apo kishte ndonjë shkak tjetër?
Ishin shumë faktorë, por ju thashë se egërsia që ishte krijuar mes meje dhe Fadil Paçramit ka qenë e pashembullt. Fadil Paçrami nuk ka pranuar asnjëherë ndarjen e kompetencave dhe të njihte autoritetin e Ministrisë së Kulturës për të drejtën që kishte komisioni i saj në drejtim të kontrollit të skenarëve të dramave dhe filmave.
Me këtë dua të them, se ishte një hendek jo i pakët që më kishte hapur Fadili në marrëdhëniet e mia me Manushin. Kjo ishte e para. Pas kësaj, Manushi e thelloi akoma më shumë acarimin me mua. Mori rrugë tashmë ajo punë. Ata që ishin Partia në rreth nuk diskutohej që kërkonin të bënin autoritetin suprem në çdo institucion, qoftë artistik dhe qoftë dhe i një natyre tjetër.
Më mbrapa, kur juve u internuat, Fadil Paçrami ishte arrestuar, apo jo?
Po, po. Atë kisha parasysh kur thashë se ajo punë mori rrugë tashmë. Por në lidhje me Manushin acarimi mori shkas edhe nga një rrethanë tjetër, që ishte e shoqja e tij.
Cila ishte kjo rrethanë?
E shoqja e Manush Myftiut, Nefua ishte zëvendësdrejtoreshë e radios. Edhe ajo ishte shumë e tmerrshme.
Në ç'drejtim?
Gjeta belanë. Ajo, sa herë mbaronin studentët e arteve dërgonte shkresë dhe kërkonte me emër studentët e porsa diplomuar që kishte përzgjedhur, për t'i emëruar në orkestrën e Radio Tiranës.
Emërimi ishte kompetenca juaj?
Po. Ishte ministria ajo që bënte emërimet dhe lëvizjet e kuadrove të artit dhe të kulturës. Kështu, në një rast që Nefua kishte parë mirë studentët që do të mbaronin, kishte bërë përzgjedhjen e veçantë, duke marrë më të mirët dhe më bën një shkresë zyrtare ku më kërkon që t'i emëroja në Radio Televizion.
Juve nuk i emëruat?
Pjesërisht po. Por jo të gjithë. Numrin tjetër të kërkesës së tyre e plotësuam me emra të tjerë.
Përse?
Sepse Nefo Myftiu kishte hallin vetëm të institucionit të vet, ndërsa neve kishim hallin e të gjitha institucioneve. Nuk mund të kalonim të gjithë muzikantët e shkëlqyer, për shembull te Radio Televizioni, pasi kishim primar teatrin e Operas apo diçka tjetër. Kështu që nuk mund t'i plotësoje dot dëshirat ashtu siç ishin. Mirëpo probleme të kësaj natyre dilnin në çdo rast dhe i binte që të ishe vazhdimisht në konflikt.
Pse, nuk të kuptonte Nefo Myftiu për shembull?
Hiç fare. Madje ajo mendonte se meqenëse ishte e shoqja e Manush Myftiut nuk duhet të nxirrnim probleme të kësaj natyre, që ajo i quante të parëndësishme.
Dhe çfarë bënte?
Në rastin që po të flas ajo u ankua te ministri. Thoma Deljana kur më thërriti në zyrë në prani të saj unë e sqarova saktë dhe emër për emër se si dhe ku i kishim emëruar muzikantët e rinj. Thomai, pas shpjegimit që i dhashë unë, u bind më së miri dhe më dha të drejtë.
E ç'bëri Nefua pas kësaj?
Iku e mërzitur, çfarë do të bënte tjetër.
Mendon se ka biseduar me të shoqin për sjelljen tënde?
Detyrimisht. Edhe unë e dija se ajo gjë nuk mund të mbyllej aty. Pra, dua të them që merret me mend.
Pra, ju mendoni se në marrëdhëniet tuaja me Manush Myftiun ka ndërhyrë dhe Nefua, apo jo?
Të gjitha pak nga pak, derisa u bë skandali i madh.
Cili skandal?
Që u sajuan intrigat më të paprecedenta dhe më shkarkuan nga të gjitha funksionet politike dhe administrative, që do të thotë se u shkarkova nga Sekretar partie dhe zëvendësministër dhe u përjashtova fare nga Partia.
Si ndodhi?
Kur pashë këtë presion që më bëhej nga të gjitha anët, por kryesisht nga Manush Myftiu, nuk po ndjeja asnjë disfaksion në punë. Ndjeja vetëm stres dhe kokëçarje të madhe. Në këtë situatë, kam shkuar te ministri im Thoma Deljana dhe i kam thënë se duhet të më ndihmonte që të miratohej dorëheqja ime e menjëhershme nga posti i zëvendësministrit. I thashë se ndjehesha shumë i lodhur.
Në ç'kohë jemi këtu?
Jemi në marsin e vitit 1976. Unë kisha qenë plot 8 vjet zëvendësministër.
Dhe çfarë ju tha Deljana?
Thomai ngriu në vend duke m'u drejtuar:
Ç'thua more kështu?
- Po, po, - ia ktheva.
- Pse e bën këtë, ç'të ka ndodhur? -këmbënguli tepër i shqetësuar ai.
- Sepse nuk përballoj dot këtë ndërhyrje kaq brutale të Manush Myftiut, -vazhdova unë. -Ai nuk do t'ia dijë se ku pikon çatia jonë, që kemi gjithë këtë përgjegjësi për organizim të kaq e kaq institucioneve, por ndërhyn vetëm e vetëm që të dominojë ai.
- Lëre, - tha Thomai. - Do ta zgjidhim ndryshe.
- Si? - ia ktheva unë.
- Do kërkojmë takim me shokun Manush dhe do të ulemi të tre dhe të sqarojmë mirë të gjitha konfliktet, ku dhe do të sqarojmë pozicionet,- deklaroi ai.
- Dakord jam, mendoj se është shumë e nevojshme një gjë e tillë.
E takuat?
Këtu dolën të gjitha problemet. Sepse po të kishte pranuar dorëheqjen Thoma Deljana, unë do të kisha parë punën time. Por Thomai mendoi ta kruanim me Manushin dhe kështu unë shkova shumë i përgatitur dhe i vendosur.
Si vijoi takimi?
Kur u takuam, Thomai bëri një hyrje të shkurtër të situatës që ishte krijuar mes nesh, pra Ministrisë së Kulturës dhe Komitetit të Partisë, ku i sqaroi dhe detyrat emergjente që na kërkonte koha, si dhe peripecitë e krijuara. Pas kësaj e mora fjalën unë. I fola për të gjitha problemet që na kishin dalë, nga ndërhyrjet dhe përplasjet e mëdha që na kishin shkaktuar. I fola me kompetencë për dëmet që i kishin ardhur ministrisë sonë nga mosushtrimi i kompetencave ligjore që i takonin në shumë raste etj etj. Pra, me këtë mënyrë ia numërova të gjitha me pikë e me presje.
Si reagoi Manushi?
Manushi ndërhyri në nja dy-tre gjëra shumë të vogla, madje tepër të papërfillshme, që s'ishin asgjë përballë problematikës ajsbergiane që ngrita unë.
Po, dhe si e latë?
Kur pa që mbarova, Manush Myftiu ishte shumë i irrituar, gjë që e shprehte në fytyrën e skuqur dhe në lëvizjen e nervave të faqeve. Në këtë situatë, duke mbyllur bisedën tha: -Këto që ngriti ky nuk janë kompetenca ime për t'i zgjidhur por janë kompetencë lart, - tha duke ngritur gishtin lart, për të treguar organet e larta, pra Komitetin Qendror. Unë ia ktheva se isha gati të përballesha me të ku të donte dhe me kë të donte.
Po pse tha që janë kompetenca e atyre lart?
Kot fare se s'kishte lidhje. Por ata ishin mësuar me gracka dhe prapaskena. Pas kësaj mua më ndodhi hataja. Pra, kuptohet se ai tha që do të na njoftonte në rastin më të parë, kur të realizonte takimin me organet dhe autoritetet e larta, për të fituar kohë dhe të krijonte alibinë, ashtu siç bëri.
Pse nuk u takuat më lart, siç ju premtoi?
Ç'takim mor zotëri i nderuar. Ai e kishte për të "larë" gojën se pas atij momenti mendoi për të bërë varrin tim, ashtu siç e bëri. Ai donte të krijonte një alibi.
Dhe çfarë ndodhi?
Unë e Thoma Deljana u larguam me mendimin se ishte vënë disi në vijë problemi galopant që na ishte krijuar në përplasjen e pamëshirshme institucionale që ndodhte.
Por qenkëshim gënjyer. Kaloi pesë ditë duke pritur të na njoftonte. Hiç. Kur kaloi një javë duhet të shkonim në Kinostudio që të shikonim me komisionin filmin artistik "Fijet që Priten". Meqenëse ishte me sigurim, unë thërrita dhe Feçorr Shehun, që ishte zëvendësministër për Sigurimin.
E njihnit Feçorrin?
Këtu është e bukura e skenarit, se Feçorr Sheun e kisha shumë mik, madje takoheshim rregullisht me të. Por atë ditë ai nuk më foli fare, madje as më përshëndeti, gjë që më bëri shumë përshtypje.
Çfarë kuptuat?
Më mbrapa kam kuptuar se ajo që m'u organizua ka qenë një skenar i organizuar nga Manush Myftiu, i cili e kishte bërë në bashkëpunim me Feçorr Shehun.
Ku shkuat saktësisht juve për premierën e filmit të ri?
Ishte prodhuar filmi i ri "Fijet që Priten". Për atë film, siç të shpjegova në intervistat e tjera, do të jepnim pëlqimin neve, Ministria e Kulturës, për ta mundësuar transmetimin apo shpërndarjen. Në këto raste neve thërrisnim edhe personalitete të veçanta, kryesisht nga fushat ku bënte fjalë filmi. Edhe në rastin që të flas filmi ishte me temë nga Sigurimi i Shtetit, kështu që unë duke e pasur dhe shumë mik, e thirra dhe atë, pa e ditur se çfarë kurdiste në vetvete së bashku me Manush Myftiun.
Nuk të foli kur ishit në Kinostudio, apo jo?
Po ore. U ul. Pa shfaqjen dhe iku pa më dhënë dhe dorën. Më bëri shumë përshtypje.
Takimin që iu kishte thënë Manushi me autoritetin e Komitetit Qendror nuk e bëtë, apo jo?
Ore unë po të them që këta mendonin të më bënin varrin siç ma bënë e ti thua që të më bënin takimin që kishte premtuar. Kaloi dhe rreth një javë nga dita që u bë premiera e filmit, në të cilin rolin kryesor e kishte aktori i madh Robert Ndrenika.
Te "Fijet që Priten"?
Po, te "Fijet që Priten". Por edhe Robert Ndrenikën e hoqën nga filmi, meqenëse e kisha përkrahur unë, sipas tyre meqenëse e kisha fshatar.
Po ç'lidhje kishte Roberti në këtë mes?
Robert Ndrenika kishte një vëlla të arratisur dhe konsiderohej me biografi të keqe dhe unë u akuzova në mbledhjen që më viktimizuan se e kisha mbajtur afër, pra kisha zbutur Luftën e Klasave sipas Manush Myftiut. Dhe për këtë lozën prapë rolet që kishte pasur Roberti dhe i kishin rimontuar. Kur e kam parë filmin si kisha shkuar në internim, pashë që ishte zëvendësuar figura e Robertit.
Thatë që kaloi një javë nga dita e premierës së filmit. Çfarë ndodhi?
Rreth një javë si kishte ndodhur fenomeni me Feçorr Shehun dhe dy javë si kishim bërë takimin me Manush Myftiun, kur vjen zv/sekretarja e organizatës së Partisë dhe më thotë se në orën pesë pasdite ishte urdhëruar nga shoku Manush mbledhja e Organizatës së Partisë. Madje, ajo ishte njoftuar nga sekretarja e shokut Manush, duke e cilësuar me emër që të njoftohej zv/sekretarja e organizatës dhe jo sekretari, që isha unë.
Pse nuk ishit njoftuar juve?
Këtu janë të gjitha hilet. Ajo mbledhje do të organizohej nga Manush Myftiu vetëm për të më bërë mua viktimë dhe për këtë po ma jepte mesazhin që në fillim, duke mos më njoftuar fare, por duke ia kaluar kompetencat zv/sekretares. Unë sigurisht shkoj te ministri, pra te Thomai dhe i them: -Shoku ministër, mua më njoftuan për mbledhjen e organizatës. Mësoj se në këtë mbledhje ardhka vetë Sekretari i Parë, shoku Manush. Nuk e di pse unë u njoftokam nga zëvendësja kur duhej të njoftohesha unë për ta organizuar mbledhjen.
- Edhe mua ashtu më kanë thënë, - tha Thomai, - por të shohim se çfarë është kjo punë.
Ju, parandjetë gjë?
Patjetër që binte në sy, që ishte një grackë apo prapaskenë, sepse neve kishim dy javë që e kishim lënë me Manushin që do të takoheshim me autoritetet e larta të Komitetit Qendror për të shtruar problemet që i kisha ngritur në prani të Thomait. Tani nuk do shumë mend se çfarë kishte ndodhur me Manushin. Ai shumë i irrituar nga që unë kisha guxuar t'ia nxirrja të tëra çfarë kisha, madje duke i deklaruar se isha gati të përballesha me kë të donte dhe si të donte, kishte vendosur të më "priste" kokën.
Pse flisni kaq ashpër?
Sepse kështu ndodhi. Ju më thoni që folkam ashpër, ndërsa unë po them, ndodhi poshtërsisht ashpër. Unë u flisja për pu-nën, madje i kërkova ministrit dorëheqjen dhe ata vetëm pse kisha kurajë vendosën të më viktimizonin, siç më viktimizuan.
Pse, ç'ndodhi?
Në orën pesë pasdite, siç ishte lënë ora e mbledhjes, të gjithë u ndodhëm në sallë. Unë si sekretar i organizatës mora drejtimin e mbledhjes. Ashtu siç kishte paralajmëruar, kishte ardhur vetë Manush Myftiu. Unë sigurisht nuk kisha për të thënë asgjë, se atë mbledhje e kishte kërkuar vetë Manushi, prandaj thashë vetëm kaq: - Fjalën e ka shoku Manush. E mori fjalën Manushi duke thënë: -Mblidhemi sot në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të organizatës bazë të dikasterit tuaj të analizojmë një fenomen shumë të shqetësuar që ka ndodhur këtu.
Pas kësaj, nxori nga xhepi dy letra dhe i hodhi mbi tavolinë dhe vazhdoi: - Këto janë dy letra nga shumë të tilla që kanë ardhur nga populli në Komitetin e Partisë, të cilat bëjnë të ditur se shoku Mantho Bala ka shfaqur veprime imoraliteti në dikaster.
Çfarë bëtë juve pas kësaj bombe që ju ra?
Unë u shokova dhe nuk dija si të veproja, por vetëm rrija si statujë. Me vete thoja, çfarë është kjo? Pas pak e mora veten nga shokimi i momentit dhe iu ktheva Manushit, duke i thënë:
- Të lutem shoku Manush, kush i ka dërguar letrat?
- Janë anonime, - ma ktheu ai.
- Po si mund t'ju besosh këtyre letrave anonime kur janë pa emër, ndërkohë që unë kam tetë vjet në detyrën e zëvendësministrit, ndërkohë që sot u akuzokam për këtë gjë. Sigurimi i Shtetit mund të shkojë kur të duash te dora që i ka shkruar, ashtu siç ka gjetur autorin e letrës anonime të shkruar në drejtim të Komitetit Qendror nga ushtaraku Halim Xhelo. Ai e shkroi anonim dhe u gjend. Po të jenë të vërteta këto letra atëherë pse nuk gjeni autorin dhe t'i mbështesë me fakte?
Si t'u përgjigj?
- Nuk duhet të shikosh autorin e tyre por brendinë dhe problemin që e dënon rëndë partia e jonë, -ma ktheu me ton tepër të ashpër dhe të prerë ai. E pashë që kishte ardhur mjaft i karikuar, siç e kisha lënë para dy javësh kur ia kisha numëruar të gjitha në sy, dhe kuptohej që nuk donte t'ia dinte për asnjë arsyetim.
Po a e kaloi çështjen për diskutim?
Patjetër që e kaloi, por në kësisoj rastesh të gjithë shikojnë nga autoriteti i lartë i Partisë, ndërkohë që ishte improvizuar që dy-tre diskutantë të mbanin krahun e tij. Kështu që nga diskutantët tre veta diskutuan shumë ashpër kundër meje. Edhe sot që jam në prag të vdekjes nuk kam arritur ta kuptoj se përse vepruan ashtu ata, kur ishin shumë mirë të bindur se po më binin në qafë, aq më shumë që unë nuk e kisha tepruar kurrë në procesin e punës me ta.
Po ministri Deljana, çfarë pozicioni mbajti?
Ministri nuk donte të dinte fare kush ishte Manush Myftiu. Ai ishte i drejtpërdrejtë, kështu që u çua i revoltuar dhe e ktheu sallën përmbys, për absurditetet që shfaqeshin kaq papritur. Ai më mbrojti me fanatizëm parimor, duke treguar se nuk ishte ai shkaku që Manush Myftiu po ndërmerrte këtë nismë ndaj zëvendësministrit.
E tha Thomai shkakun për të cilin Manushi ishte i irrituar?
E tha copë. Nuk donte të dinte Thoma Deljana, prandaj dhe e hëngri. U internua jo më vonë se dy muaj pas internimit tim. Ai i tha: -Shoku Manush. Ju nuk keni ardhur këtu se jeni shqetësuar nga dy letra pa emër që paskan ardhur në Komitetin e Partisë dhe ato qenkan aq të fuqishme sa të përmbysin një zëvendësministër, por arsyeja është se neve të dy, unë dhe shoku Mantho kemi pritur të zgjidheshin mosmarrëveshjet që kishin lindur mes dikasterit tonë dhe Komitetit të partisë, gjë që ju nuk e bëtë, por keni zgjedhur rrugën t'i kundërviheni Manthos.
Çfarë mendonit në atë kohë, ndërsa ju mbronte në këtë mënyrë Thoma Deljana?
Sinqerisht thashë: - Unë e hëngra dhe nuk diskutohet fare me këtë furi që paska ardhur ky, por me sa po shoh, me mënyrën se si po më mbron Thomai dhe si po i vërsulet Manush Myftiut, shumë shpejt do ta pësojë dhe ky. Dhe nuk vonoi dhe siç të thashë, dy muaj si shkova unë në internim në Dumre të Elbasanit, pra ishte mars 1976, në maj apo qershor 1976 u internua dhe Thomai në fshatin Dhëmblan të Tepelenës, ku u bë çoban me lopë.
Dhe si përfundoi mbledhja?
Në atë mbledhje unë u akuzova se kisha mbajtur afër dhe aktorin Robert Ndrenika, i cili ishte me biografi të keqe se kishte vëllain të arratisur. Unë sigurisht u thashë që Robert Ndrenika është një ikonë e artit shqiptar, që e ka treguar veten si në filma dhe në drama dhe nuk ka nevojë ta mbroj unë.
Po nga u kujtuan për Robertin, ç'lidhje kishte?
Po Roberti ishte fshatari im nga Vunoi dhe në filmin "Fijet që Priten", të cilin e kishim miratuar për t'u shfaqur Roberti kishte rolin kryesor. Por dy muaj si isha internuar kur pashë filmin në televizor pashë se për shkakun tim Robertin e kishin zëvendësuar menjëherë. Aty bëra lidhjen, se përse më qëndroi rëndë dhe Feçorr Shehu në atë promovim filmi. Ai kishte biseduar me Manush Myftiiun dhe të dy kishin planifikuar syrgjynosjen time.
Mbledhja ju shkarkoi nga funksionet?
Po. Pas saj unë isha askushi. Pak ditë më vonë marr njoftimin se isha internuar në Dumre të Elbasanit, ku fillimisht flija në stallë bashkë me dhitë, duke vënë në mes një gardh.
(Vijon nesër)

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›