Balaj e Cana, sot në Europa League
Shkodrani mund të jetë titullar kundër Lionit, kapiteni kuqezi e nis në stol përballë Totenhamit
Bekim Balaj dhe Lorik Cana do të jenë të impenjuar sot në dy ndeshje të vështira për Europa League, përballë skuadrave favorite për të fituar trofeun. Kapiteni i Shqipërisë është grumbulluar nga trajneri i Lacios, Vladimir Petkoviç, për ndeshjen kundër Totenhamit, në Londër.
Por, Cana pritet ta nisë nga stoli, pasi trajneri nuk do të bëjë ndryshime në formacionin që luajti në kampionat. Në sezonin e kaluar, trajneri Reja luante me formacione të ndryshme në dy kompeticionet, por Petkoviç ka vendosur që të luajë me formacionin më të mirë, i cili ka arritur tri fitore në Serinë A. Cana do të jetë i gatshëm dhe mund të hyjë gjatë lojës, ashtu në ndeshjen e fundit, fituar 3-1 kundër Kievos, në Verona.
Nga ana tjetër, Balaj ka udhëtuar me Spartën e Pragës drejt Lionit, ku do të ndeshet me skuadrën vendase. Sulmuesi shkodran nuk luajti nga fillimi në javën e fundit në kampionat, kundër Viktoria Plzen, ku Sparta u mund 1-0.
Sot Balaj mund të jetë titullar, ndonëse nga ana e trajnerit Laviçka nuk ka pasur zbulim detajesh për formacionin, duke u mjaftuar vetëm me synimin për të marrë pikë.Në raundin e fundit para ndeshjeve në grupe, Sparta eliminoi Fejënordin e Holandës, çka e ka rritur në kulm besimin e çekëve për të bërë figurë të mirë edhe në këtë fazë.