Kapiti llogarit në Maliqin e Krasniqin
Trajneri i Prishtinës, Ejup Mehmeti – Kapiti llogarit në dyshen Behar Maliqi dhe Besnik Krasniqi, për sfidën e fundjavës ndaj Trepçës ’89. Mesfushori i njohur kosovar dhe mbrojtësi i djathtë më i mirë i Superligës, kanë udhëtuar të martën drejt Çekisë, ku do të bisedojnë me ekipin Ceske Budejovice, me ndërmjetësimin e menaxherit kosovar, Remo Rashica.
Mirëpo, trajneri prishtinas pret që lojtarët të kthehen me kohë dhe ta japin kontributin e tyre për sfidën e vështirë ndaj ekipit mitrovicas. “Ata kanë shkuar dje në Çeki. Por, unë pres që të jenë në dispozicionin tim për ndeshjen që do ta luajmë në fundjavë”, është shprehur Kapiti për Express.
Pas shtatë javësh të zhvilluara në kampionatin çek, ky ekip zë vendin e fundit. Mirëpo, dyshja kosovare shpresojnë të arrijnë marrëveshje me Ceske Budejovice, për ta vazhduar karrierën atje. Rashica më parë ka dërguar edhe lojtarë të tjerë jashtë vendit, kurse së fundmi një gjë të tillë e kishte bërë me mbrojtësin tjetër të Prishtinës, Ilir Berisha, i cili me mjaft sukses po paraqitet në Suedi, me ekipin Orebro.