Favoritët e Kuqit

Shefki Kuqi i ka treguar favoritët, për të cilët mendon se janë kandidatë potencialë për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë edicion. Futbollisti kosovar, i cili luan në ekipin skocez Hibernian, mendon se gjasa më reale për të triumfuar në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit për klube kanë Barcelona, Manchester United dhe Real Madridi.
“Kjo treshe është e fortë këtë vit, edhe pse Reali e ka nisur mjaft dobët sezonin. Eliminimi i hershëm i United sezonin e kaluar ishte shokues. Trajneri më i mirë i të gjitha kohëve, Sir Alex Ferguson, nuk do të lejojë që kjo t’i përsëritet edhe sivjet”, deklaroi Kuqi i cili nga ky sezon do të punojë edhe si analist për mediat finlandeze.
Ish përfaqësuesi finlandez kërkoi kujdes të shtuar edhe ndaj skuadrave nga Franca, Spanja dhe Rusia, ku përmendi ekipin e përforcuar Paris Saint Germain, Malagan, për të cilin thotë se mund të befasojë dhe Zenit St. Petersburgun. Për Manchester Cityn thotë se është bërë shumë i fuqishëm, por që i nevojitet kohë të arrijë suksese në Evropë, njëjtë siç bëri në Angli sezonin e fundit.