Bale nuk ndihet super-yll

Mesfushori i Tottenham Hotspur, Gareth Bale insiston se nuk është ende njëri prej super-yjeve të futbollit si kundërshtari i ardhshëm në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Cristiano Ronaldo. Derisa Bale zgjoi vëmendjen e gjerë gjatë këtij sezoni me paraqitje të shkëlqyeshme të kurorëzuara me gola në Premierligë dhe Evropë, reprezentuesi uellsian insiston se është ende larg futbollistëve kulmorë dhe beson se mund të përmirësohet në çdo fushë të lojës së tij, diçka që ai ndien se duhet ta bëjë para se të krahasohet në rang me yllin portugez Ronaldo. “Jam ende i ri, ende mësoj, por nëse shikoni futbollistët si Messi dhe Ronaldo, atëherë ata janë në një shkallë të cilën ju duhet ta synoni”, tha Bale për mediet angleze të premten. “Është ndjenjë e mirë që njerëzit kanë thënë fjalë të mira për mua, por të jem i sinqertë mundohem t’i injoroj. Nëse më thoni se jam super-yll, ju siguroj se nuk e shoh veten të atillë. Jam më tepër i brengosur për atë që do të vjen dhe besoj se ka edhe shumë më tepër. E di se kam edhe shumë për të mësuar, andaj duhet të punoj shumë në stërvitje dhe të jap maksimumin në ndeshje”, përfundoi Bale.