Pezullimi tronditboshnjakët, tifozëtkundër drejtuesve
SARAJEVE- Pezullimi i Bosnje-Hercegovinës nga arena ndërkombëtare ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në futbollin e vendit ballkanas. Drejtuesit e Federatës së këtij vendi nuk arritën dot një akord për të unifikuar presidencën nga 3 persona në 1, ashtu siç kërkonin FIFA dhe UEFA dhe kjo çoi në pezullimin e saj nga arena ndërkombëtare. Vendimi mund të bëjë që Bosnja të mos luajë më në eliminatoret e Europianit 2012, edhe pse ka edhe dy muaj kohë që të ndreqë gabimin. “Jemi të pezulluar dhe në bazë të Statuteve të FIFA-s dhe UEFA-s, e dimë se çfarë do të thotë kjo, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i federatës boshnjake Jasmin Bakoviç. – Ne tani presim që Komiteti Ekzekutiv të normalizojë raportet, duke pranuar kërkesat e tyre”, shtoi ai. Sistemi aktual i Bosnjes përmban 3 presidentë federate, një serb, një kroat dhe një boshnjak, në bazë të etnive. Ata drejtojnë me rrotacion për 16 muaj, gjë që është kundër Statuteve të FIFA-s dhe UEFA-s. “Jemi si një sanduiç, mes kërkesave të bëra nga FIFA dhe UEFA dhe realitetit tonë politik në vend”, shtoi sekretari Bakoviç. FIFA dhe UEFA bënë të ditur në një komunikatë për mediat se pasi nuk u arrit një marrëveshje mes anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Boshnjake, pezullimi ishte e vetmja rrugë. Por, vendimi i marrë të premten ka shkaktuar reagimin e ashpër të tifozëve boshnjakë, të cilët janë të vetëdijshëm se kanë një prej skuadrave më të mira të Ballkanit dhe të grupit D. Lideri i tifozëve Nizar Altinavi u shpreh se shpreson që pezullimi të ndihmojë në arritjen e një kompromisi mes krerëve të futbollit boshnjak. Ndeshja e radhës për Bosnje-Hercegovinën është ajo e 3 qershorit ndaj Rumanisë, ndërsa më 7 qershor kjo skuadër do të përballet me Shqipërinë. Nëse deri më 1 qershor nuk ndërmerret asnjë hap, Bosnja do të përjashtohet dhe kjo do të thotë se pikët e saj në grup do të bëhen zero, ashtu si pikët e marra nga skuadrat e tjera kundër boshnjakëve. Një tjetër rrjedhojë e vendimit, është që klubet e Bosnjes nuk do të luajnë në Kupat e Evropës.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)