Rikthehet Higuainpor Reali ka një “mal”me mungesa
SPANJE- Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain e ka kaluar periudhën e dëmtimit dhe pas 4 muajsh është rikthyer sërish nën urdhrat e trajnerit Zhoze Murinjo. Ai është stërvitur rregullisht me ekipin ditën e premte dhe pritet të luajë disa minuta në sfidën me Sporting Gijon të shtunën. “As njeriu më optimist nuk e priste një rikthim kaq të shpejtë të Higuain, - deklaroi trajneri Zhoze Murinjo. – Jemi në dy muajt e fundit të sezonit, kur mund të ndodhë gjithçka. Kështu që rikthimi i tij është i mirëpritur”, shtoi portugezi. Higuain mungonte që prej dhjetorit, kur ai u bë operacion nga hernia. Ai është një forcë më shumë për Murinjon, që për ndeshjen ndaj Gijonit nuk do të ketë në dispozicion një pjesë të mirë të yjeve të ekipit, si Kristiano Ronaldo, Karim Benzema apo braziliani Marselo. Ata janë të tre të dëmtuar dhe janë në dyshim serioz edhe për sfidën me Totenhemin në Champions League. Kur mbeten edhe 9 ndeshje deri në fund, Reali ka 73 pikë dhe ndodhet 5 pikë larg Barcelonës. “Nëse humbim me Gijonin, humbim betejën për titull, - deklaroi Murinjo. – Me Totenhemin qëndron ndryshe, pasi nëse humbim ndeshjen e parë, mund të rikuperojmë në Londër. Kemi shumë të dëmtuar, ky është një problem i madh për ne”, tha më tej ai. I pyetur për deklaratën e presidentit të Barcelonës Sandro Rosell, se katalanasit do të fitojnë sërish 5-0 në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Realit, Murinjo nuk bëri polemika. “Nuk shoh asgjë të gabuar, kjo është ndjesia e tij, ai ka besim te skuadra e vet dhe ka gjithë të drejtën ta thotë këtë”, u shpreh tekniku portugez.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)