E Diel, 1 Nëntor 2026

Baleti “Delina”, një ngjarje kulturore europiane

TIRANE-Më datat 5, 6 dhe 7 mars, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, publiku kryeqytetas pati rastin e rrallë që të shijojë përsëri muzikën e çesk Zadejës (1927-1997), të njohur tej e mbanë si "babai" i muzikës shqiptare. Bëhet fjalë për baletin "Delina", një vepër skenike unikale, e vënë në skenë për herë të parë në vitin 1964, me koreografi të mjeshtrit Panajot Kanaçi, e interpretuar në atë kohë nga trupa artistike e TOB nën drejtimin e dirigjentit Rifat Teqja, dhe nga dyshja e balerinëve Delina-Zoica Haxho dhe Arbani-Agron Aliaj. Falë një politike kulturore të mbarë dhe me vizion, TKOB, në këto vitet e fundit i është qasur repertorit muzikor tradicional të muzikës dhe artit shqiptar me shumë dashuri dhe kujdes profesional. Një falenderim i shkon z. Zhani Ciko, drejtor i TKOB-it, falë vëmendjes së tij ndaj kësaj tradite, publiku i ri shqiptar ka mundur të njihet me disa autorë të vjetër dhe të rinj, të cilët janë tashmë pjesë e traditës shpirtërore të muzikës sonë. Përmendim këtu rivëniet e baleteve të kompozitorëve të nderuar, "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë" të Feim Ibrahimit, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" i Nikolla Zoraqit, krahas operave bashkëkohore të Aleksandër Peçit dhe Ermir Dergjinit etj., këto krah për krah repertorit operistik botëror, të shijeve, stileve dhe epokave nga më të ndryshmet etj. Rikthehemi tek rivënia e baletit "Delina" për shumë arsye. Së pari, një staf i ri interpretuesish e vuri atë në skenë nën koreografinë e Agron Aliajt, me dirizhimin mjeshtëror të Bujar Llapajt dhe skenografi dhe kostume brilante të Taulant Pustinës. Referuar asaj çka pamë dhe dëgjuam në skenë, duke filluar prej muzikës, vitet që kaluan prej datës së premierës në vitin 1964, nuk e kishin zbehur muzikën e mjeshtrit Zadeja, përkundrazi. Në vitin 1964, çesk Zadeja ishte vetëm 37 vjeç. Megjithëse shumë i ri, CV-ja e tij krijuese kishte të shënuar në radhët e saj muzikën e simfonisë së parë shqiptare, 1956 dhe atë të filmave historikë shqiptarë si "Tana" dhe "Skënderbeu". Ky balet, me emrin e bukur "Delina", ishte sprova e parë e madhe pas këtyre veprave që synonte të përforconte kombëtarisht stilin unikal muzikor të Zadejës.
Nuk është e tepërt të themi se tradita e kompozicionit shqiptar lidhet ngushtë me shkollën muzikore të veriut të Shqipërisë me qendër në Shkodër, të filluar me Martin Gjokën në fillim, të shek XX-të, e cila, si model kompozicioni i referohej citimit të materialit muzikor folklorik me origjinë homofonike dhe modale. Kësaj shkolle i përkasin edhe opera e parë "Mirka" me muzikë të Preng Jakovës në vitin 1958 dhe baleti i pare shqiptar "Halili dhe hajria" i Tish Daisë. Në krye të tyre, çesk Zadeja, me mjeshtërinë e tij të rrallë dhe me orientimin filozofik për krijimin e një shkolle kombëtare në muzikë, plazmoi me muzikën e tij, në mënyrë të veçantë tek baleti "Delina", gjithë lëndën muzikore (e cituar drejtpërsëdrejti ose jo nga folklori verior), duke hedhur bazat e një arti kombëtar të ngjashëm me krijimin e shkollave muzikore kombëtare në shek. XIX në vendet e Europës si Hungari, Poloni, Finlandë, Norvegji, Rusi etj. Kjo praktikë e suksesshme, u ndoq edhe nga krijues të tjerë shumë të rëndësishëm të muzikës sonë si Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Simoni etj.
Prof. Zadeja, në dorëshkrimet e tij mbi procesin muzikor, të filluar qysh në vitet 1960 dhe të botuara në librin "Vetparja e procesit", vetëm pas vdekjes së tij, në vitin 2007, shkruante se: …qëllimi im si krijues ka qenë gjithnjë të bëj ç'është e mundur për të ndihmuar, sado në mënyrë modeste, në krijimin e lartë të stilit kombëtar të muzikës profesionale. Këtij bashkimi harmonik dhe të natyrshëm të freskisë jetësore të artit popullor me begatinë e gjuhës muzikore profesionale botërore dhe, para së gjithash, me arritjet më progresive të aktualitetit, i kam trajtuar si domosdoshmëri dhe në mënyrën më të ndërgjegjshme. Të gjitha këto mjete të begata të kësaj tradite të re, i kam "aplikuar" duke filluar që nga përpunimi i këngës popullore. Duke përforcuar praktikën europiane se "folklori mbetet mësuesi më i mirë i kompozitorëve profesionistë", çesk Zadeja, në vitet e diktaturës komuniste, krijoi një vepër muzikore jo-politike si "Delina", e cila i përkiste dhe i përket të gjitha kohëve. Faqet mjeshtërore të muzikës së Zadejës së ri, në mënyrë të veçantë "Monologu i Arbanit", "Humorska", "Vallja iso-polifonike e vajzave" e në mënyrë të veçantë "Epilogu", janë traktate të shkollës sonë muzikore kombëtare tashmë të vulosura edhe nga koha. Këtë gjë ai e mendoi dhe realizoi ndër vite, duke e dëshmuar edhe përmes fjalëve se: … në kërkim të kritereve objektive profesionale, si krijues, jam tërhequr jo thjesht nga "intuita" apo fantazia krijuese, sado e argumentuar, por nga një studim i vendosur, kërkues, i cili më ka çuar pikërisht në aprovimin e ndërgjegjshëm të kritereve bazë që, në njëfarë mase kanë përcaktuar edhe bindjet e mia si krijues.
Në shfaqjen e re të "Delinës", ne u çmallën me mësuesin tonë të madh, me atë të cilin koha u tregua e padrejtë, duke e ndarë nga jeta në kulmin e energjive të tij krijuese. në vitin e mbrapshtë 1997. Rivënia e "Delinës" në një lloj kuptimi rizgjoi edhe tek familjarët e tij (tek bashkëshortja e tij, shumë e nderuara zj. Alma Zadeja, ish-balerinë në premierën e "Delinës", dhe tek fëmijët e tij të dashur), faktin se gjatë kohës së kompozimit të muzikës së baletit "Delina", i madhi Zadeja njëkohësisht projektoi dhe ndërtoi edhe familjen e tij të ardhshme. Nuk është koincidencë që dy fëmijët e tij të lindur disa vjet pas premierës së "Delinës", djali Alban dhe vajza Delina, kanë emrat e personazheve kryesore të baletit. çesk Zadeja e shkroi me zemër dhe me mendje baletin "Delina", si një provë e çmuar e seriozitetit të tij krijues ndaj bindjeve të tij profesionale dhe ndaj ndjenjave të tij me të larta njerëzore. Për këtë arsye, muzika lirike e kësaj vepre është një tjetër dëshmi e shpirtit të tij të përkushtuar ndaj familjes Zadeja dhe vendit të vet.
Rivënia e "Delinës" është në një lloj kuptimi edhe rikthimi i duhur për nga rrënjët e trashëgimisë sonë shpirtërore në muzikë. Kujdesi i treguar në këtë shfaqje ishte i ngjashëm me një praktikë rigoroze restaurimi të një "objekti", i cili kishte nevojë edhe për dixhitalizimin kompjuterik të partiturës, gjë e kryer me kompetencë nga z. Llapaj, edhe për kostumet dhe skenat moderne të Taulant Pustinës, por edhe për rishikimin e gjuhës koreografike përmes kontributit të z. Aliaj. Mund të flasim ende për këtë vepër, e cila na dëshmoi se gurët e themelit të muzikës sonë nuk kanë lëvizur nga pesha e kohës, por edhe se më shumë duhet bërë ende për të mbështetur krijimtarinë tone muzikore në të gjitha kohët. Së fundi një falenderim miqësor për trupën e baletit dhe solistët dhe për orkestrën simfonike të TKOB-it. Suksese!
(*)Akademik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›