E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja me shifrat, INSTAT në siklet

TIRANE-Sikurse kishin parashikuar ekspertët e pavarur, opozita dhe ndërkombëtarët, inflacioni ka pësuar kërcim të ndjeshëm, me një rritje çmimesh në shkallë vjetore në masën 4.4%. Ky nivel, i raportuar dje nga Instituti i Statistikave, është vetëm 0.2% pikë më poshtë nga niveli rekord, i shënuar vitet e fundit më 2008-ën. Por, në këtë raportim është anashkaluar një detaj, që ka të bëjë me shpjegimin se pse INSTAT-i "ndryshoi mendim" lidhur me përfshirjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike që nga muaji janar, duke qenë se tarifat ishin ndryshuar që nga 1 janari 2010, dhe ky institucion vlerëson çmimet në kohën reale dhe jo në momentin se kur paguhen faturat nga konsumatorët. Në njoftimin lidhur me nivelin e çmimeve të "shportës" gjatë janarit, të publikuar nga INSTAT-i më 8 shkurt 2010 thuhej: "Në muajin janar 2010, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit 0.5% krahasuar me muajin dhjetor 2009. Ndryshimi vjetor në këtë muaj kundrejt janarit 2009 është 3.6%". Dhe, më poshtë, thuhej në mënyrë të qartë: "Ndikimi i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike do të pasqyrohet në muajin shkurt, muaj kur konsumatori aktualisht paguan energjinë e konsumuar në muajin janar".
Papritur, ekspertët e institucionit të ngarkuar me llogaritjen e statistikave ekonomike e sociale të vendit, ndryshojnë "strategji". Plot një muaj më vonë, më 8 mars, nga e njëjta zyrë shtetërore deklarohet pa shumë ceremoni: "çmimi i energjisë elektrike shënoi një rritje prej 13.1 përqindësh, rritje kjo që u pasqyrua që në indeksin e çmimeve të konsumit të muajit janar 2010. Ndikimi i saj në IçK-në e muajit janar 2010 ishte 0.5%". Ky ndryshim pasqyrohet qartë në grafikun e rritjes së çmimeve sipas muajve, ku janari paraqitet me rritje 4.1% dhe jo 3.6%. Më tepër se sa me lajthitje, duket se në këtë rast kemi të bëjmë me një përpjekje të qëllimshme për të mos paraqitur një fillim të keq të vitit, kur është fjala për tejkalim të limitit të parashikuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë lidhur me nivelin e inflacionit. Limiti shkon nga një minimale prej 2% deri në 4%, me optimumin në 3 për qind. Duke raportuar vetëm 3.6% në janar, INSTAT-i ka bërë një shërbim të karakterit politik për qeverinë, në pritje të deklaratave euforike rreth rritjes mujore të eksporteve në masën 44%, që mund të "amortizonte" lajmin e keq të inflacionit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›