E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata-Halili, aleancë për të larguar Dukën

DURRES-Zgjedhjet e sotme për presidencën e Federatës Shqiptare të Futbollit, të paktën në letër shohin kandidatë më të fortë se ata të 4 viteve më parë. Një gjë e tillë u pa edhe në rezultatin e Asamblesë së 27 shkurtit 2006, ku nga 69 delegatë, 49 votuan Dukën.
Por, këtë herë përballë presidentit aktual ndodhet një ish-kapiten legjendar i ekipit kombëtar si edhe një president futbolli, që pas raundit të parë mund të bëjnë aleancë për të mposhtur Dukën. Duke parë atë çfarë ndodh rëndom në Shqipëri, votat është e qartë se mbeten një çështje pazaresh dhe nuk ka dyshim se kështu do të ndodhë edhe këtë herë. është e qartë se ai që do të bëjë "pazarin" më të mirë do të fitojë më shumë vota dhe në këtë aspekt, tre kandidatët kanë secili se çfarë të ofrojnë. Kështu, Duka ka si pikën e tij më të fortë faktin se në 8 vitet e fundit, përveçse e ka ngritur Federatën si institucion, i ka rritur të ardhurat disa-fish me kohën e Miço Papadhopulit.
Në fakt, deri një vit më parë kjo ka ndodhur vetëm për financat e FSHF-së, por këtë sezon, futja e të drejtës televizive dhe premtimi për zgjerim të saj në vitin e ardhshëm, ka nisur të sjellë të ardhura edhe për klubet, megjithëse bëhet fjalë vetëm për ata të Kategorisë Superiore. Po ashtu, Duka ka respektuar me përpikmëri Statutin, duke shfrytëzuar këtë dobësi të komunitetit të futbollit për ta ndryshuar atë edhe pse ka probleme të mëdha. Një nga pikat e dobta të Dukës mbetet mungesa e rezultateve sportive, sidomos në ekipin kombëtar, por kjo ndikon më shumë te një votues i thjeshtë sesa delegatët e Asamblesë. Gjithsesi, kombëtarja shqiptare në epokën e tij ka ndryshuar pamje, por sigurisht që tifozët prisnin më shumë. Veç kësaj, është e qartë se 8 vjet në "pushtet" janë një konsumim për këdo. Përsa i përket Halilit, një nga pikat e tij të forta është fakti se tashmë është pjesë e futbollit prej vitesh dhe ka fituar jo pak eksperiencë si drejtues në këtë sport. Po ashtu, mbetet një personazh që vlerësohet jo pak për pasionin që ka për futbollin. Një pikë e dobët e tij mbetet fakti se duke ardhur nga klubi Tirana, nuk është se klubet e tjerë do ta shohin shumë me sy të mirë. Në lidhje me Rudi Vatën, pika e fortë e tij është fakti se ka qenë gjithnjë një lider në ekipin kombëtar dhe i dashur nga tifozët. Por, në Asamble nuk votojnë ata dhe kjo është një pikë e dobët. Për me tepër, Vata ka jetuar prej vitesh në Skoci dhe realiteti në Shqipëri është jo pak ndryshe.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›