E Martë, 3 Nëntor 2026

Baleti shqiptar humb primabalerinën legjendare, ndahet nga jeta, Sekine Sharofi

Eshtë ndarë nga jeta të hënën Sekine Sharofi, primabalerina legjendare e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si dhe bashkëshortja e tenorit dramatik Xhoni Athanas.

Shumë e kujtojnë si një vajzë të mahnitshme dhe një kërcimtare të disiplinuar me një temperament të shkëlqyer, që tërhiqte publikun artdashësh me figurat e saj.

Solistja e kërcimit klasik Sekine Sharofi lindi më 4 mars 1938. Emri i saj identifikohet me skenën e Baleti Shqiptar. Sharofi ka hyrë në historinë e kërcimit klasik si soliste, si prima dona me një shkëlqim marramendës që nuk harrohet kurrë.

E shkëlqyer dhe brilante në mënyrën se si interpretoi veprat më të rëndësishme të repertorit si: “Laurencia” nga Alexandër Krein, “Zhurale” nga Farid Jaruli, “Para stuhisë” nga Çesk Zadeja, “ Halili dhe Hajria” nga Tish Daija, “Lola” nga Marat Gaziev, “Delina” nga Çesk Zadeja, “Fadeta” nga Leo Delibes, “Cuca e maleve” nga Nikolla Zoraqi, “Shota dhe Azem Galica” nga Nikolla Zoraqi, “Petja dhe ujku” nga Sergei Prokofiev, “Kujdesi i kotë” nga Hertel, Rapsodia koreografike “Historia e një këngë” nga Nikolla Zoraqi, “Sheherezada” nga N. Rimskij Korsakov etj.

Sekine do të mbetet përgjithmonë në plejadën e artë të artistëve shqiptarë. Brezat më të vjetër do ta kujtojnë gjithmonë atë me buzëqeshjen e ndrojtur që vetëm ajo dinte t’ia dhuronte publikut shqiptar në një kohë kur gjithë Shqipëria ishte bardhezi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›