E Diel, 1 Nëntor 2026

Balina Bodinaku - Do më pëlqente një ceremoni martese në televizion

 

Nga një emision me makina ku e ndiqnin më së shumti meshkujt, krejt papritur u gjend në një format të diele, ku i ndodh edhe të kërcejë. Balina Bodinaku tregon për qejfin që bën tek e “E Diela Shqiptare”, gabimet e jetës, dhe si do ta kishte dëshiruar ceremoninë e saj të  martesës në një nga të dielat e “Tv Klan”.  
Si ndodhi që u bëtë pjesë e prezantimit të këtij programi?
Ishte një propozim që më bëri Ardit Gjebrea. Nisi thjesht me një telefonatë të bërë një pasdite ndërkohë që isha në palestër. Atëherë unë mendoja se nuk do të kthehesha në televizion edhe për disa kohë.
Nga një emision me makina në “Vizion Plus”, tani në një skenë spektakli në “Tv Klan”. Si po ju duket ky ndryshim formati dhe ekrani?
 Eshtë fillimi, por ndjehem mirë dhe më e rëndësishmja është se jam shumë e kënaqur me ekipin me të cilin punoj. Të punosh me profesionistë të ekranit me të cilët je në gjendje jo vetëm të bësh gjëra të bukura, por edhe të mësosh është një komoditet, që e gjeta tek “E Diela Shqiptare”. E kjo nuk është e pakët.
Prezantoni këngëtarët e rinj të “Këngës Magjike”, si është të intervistosh këngëtarë?
Për mua ishte diçka e re. Nuk jam një njohëse shumë e mirë e ambientit muzikor në Shqipëri, ndoshta edhe sepse ai është vazhdimisht në lëvizje e ndryshim. Por kjo është ajo që e bën dhe interesant. Më pëlqen që po më jepet mundësia të njoh këngëtarët e rinj shqiptarë dhe muzikën e tyre.
Do të jeni ju prezantuesja e spektaklit të madh në Pallatin e Kongreseve kështu?
Nuk di ta them këtë që tani. Ende nuk më është bërë një propozim i tillë.
Spektaklin e fundit ju pamë në një performancë me paruke të zezë, do ta bënit një ndryshim të tillë të ngjyrës së flokëve?
Edhe ti Brut?! Bëj shaka, natyrisht. Këto ditët e fundit dëgjoj vetëm komente për flokët e zeza, e të mendosh që në fillim u bëra shumë rezistencë. Nuk desha t’i vendosja dhe gjeja lloj-lloj zgjidhjesh të tjera, vetëm që të evitoja paruken. Po pavarësisht suksesit që patën, as që më shkon mendja t’i ndryshoj flokët, as në ngjyrë e as në formë. Më pëlqejnë këto që kam dhe s’e shikoj dot veten me të tjera. E bukura e të Dielës Shqiptare është kjo: aty bëhet qejf në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. E në gjithë këtë atmosferë, interpretimi im me trupën e baletit ishte një “eksperiment” në kuadër të qejfit, një dëshmi e frymës se gëzueshme dhe krejt të çliruar nga çdo kornizë që ekziston tek e “Diela Shqiptare”.
Si do ju tingëllonte nëse tani e tutje ju quajnë “show girl”?
Natyrisht që unë nuk jam një “show girl”, sepse të jesh e tillë duhet të dish të këndosh, kërcesh e të kesh një mori talentesh të cilat nuk mendoj se i kam. Duhet shumë punë e përkushtim që unë i kam fokusuar në një drejtim krejt tjetër, por nëse do vinte një ditë që do më quanin edhe “show girl”, nuk do më vinte aspak keq, përkundrazi do thoja “sa mirë!! Ditkam ta bëj dhe këtë?!”
Dukeni ekspresive, e gatshme për batuta, çfarë e ndan tipin tuaj të vërtetë nga ai në ekran?
Shumë pak. Kryesisht ka të bëjë me veshjen, grimin dhe kufizime të tjera të vockla që kanë të bëjnë me etikën e të dalurit në ekran dhe respektin ndaj atyre që na ndjekin. Për shembull të vërtetën të them, do kisha pasur shumë dëshirë të prezantoja me pantallona të shkurtra dhe xhinse të grisura, të mos vendosja gjithë atë grim që jemi të detyruar të vendosim për shkak të televizionit, të hidhja tutje këpucët me taka shumë të larta e t’u kthehesha atleteve të mia të dashura. Po përveç këtyre, nuk besoj se ndryshoj shumë. Përpiqem të jem sa më shumë vetja ime, ajo që jam përditë.
“E Diela” dihet që është ditë dasmash, do kishit zgjedhur ta organizonit ceremoninë tuaj të martesës në “E diela Shqiptare”? 
Hahaha, po, patjetër…
Për çfarë ia vlen të sakrifikosh në jetë, për karrierën apo për dashurinë?
Për dashurinë, në kuptimin shumë të gjerë të fjalës e ku ka vend jo vetëm për një person x, por ku hyn dhe dashuria për një punë me të cilën merresh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›