E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Arben Imami shet të tjerë avionë dhe helikopterë për skrap

taulant ballaDeputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se po shet për skrap avionë dhe helikopterë që janë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Balla shkruan se Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s, ndaj të cilit OKB ka kryer hetime për trafik ndërkombëtar armësh.

Shkrimi i plotë i Taulant Ballës

Arben Imami shet të tjerë avionë dhe helikopterë për skrap. Tenderi më 26 Gusht në Ministrinë e Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura. Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim. Nga konsultimi me ekspertë vlera fillestare e shitjes është shumë herë më e ulët sesa vlera reale e tregut. Gjithashtu dihet se fitues i këtij tenderi të radhës do të jetë e njëjta kompani e lidhur ngushtë me Arben Imamin, tek e cila Ministria e Mbrojtjes vjel përqindjen çdo muaj. Tenderi do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat. Por shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura. Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarake të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez. Në emër të skrapit në këto 8 vjet janë kryer veprime shumë të errëta me pasuritë e Ministrisë së Mbrojtjes. Në emër të skrapit, Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu vranë 26 njerëz në Gërdec. Në emër të skrapit Shqipërisë i janë vjedhur qindra milionë dollarë armatim, i raportuar skrap dhe i shitur vendeve në konflikt, duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s, ndaj të cilit OKB ka kryer hetime për trafik ndërkombëtar armësh në Libi dhe vende të tjera në konflikt. Arben Imami dhe drejtues të tjerë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen gjerësisht për këto abuzime shkatërruese për ushtrinë dhe ekonominë e trashëguar të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›