Përfaqësuesit e Agimit të Artë kërcënojnë me luftë
Vetëm një ditë pas ceremonisë së zhvilluar në Himarë për 3-vjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Agimit të Artë është bërë publike edhe fjalimi i mbajtur nga këta të fundit. Video e fjalimit është publikuar nga partia e Agimit të Artë ndërsa në të dëgjohen qartë deklaratat antishqiptare. Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas, një prej aktivistëve grekë ka deklaruar se Agimi i Artë nuk do te ikë nga Himara deri në çlirimin e saj.
Fjalimi
Ai ka përcjellë mesazhin e kreut të Agimit të Artë si dhe të deputetit të Agimit të Artë Kristo Papa, që nuk mund të shkelë në territorin shqiptar, pasi është shpallur non grata nga Shqipëria. “Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë, Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për cështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë non grata për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos ka shkruar: Mos valle kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës? Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Është fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën, nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”, tha Tsankas. Ndërkohë gjatë ceremonisë të zhviluar të dielën në varrezat e Himarës u këndua edhe himni grek. Përvjetori i tretë i Aristotel Gumës u shoqërua me incidente, nga eksponentë të Agimit të Artë të cilët fillimisht nxorën jashtë kishës, priftin e Shën Spirodhonit, i cili nuk pranoi që të kryente rritet e tyre e më dhe pas sulmuan edhe gazetarët e pranishëm.