E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha-Basha po blejnë News 24 me para korrupsioni

Deputeti i partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe kandidatin e PD-së për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, se po tentojnë të blejnë televizionin Neës 24 me paratë e fituara në mënyrë të paligjshme. “Saliu dhe Luli i Saliut e dinë mirë që shqiptarët nuk kanë për t’i votuar ata kurrë më. Prandaj Saliu ka vendosur të përdorë paratë e pista të korrupsionit, vjedhjeve e kontrabandës për të intimiduar e për të blerë mediat. Ka vendosur së fundi të përdorë edhe dollarë e euro false, në një përpjekje për të blerë vota e për të korruptuar procesin zgjedhor. Saliu dhe Luli i Saliut vranë 4 njerëz të pafajshëm më 21 Janar, për të vazhduar vjedhjen dhe tani po i përdorin paratë e aktiviteteve të tyre kriminale për të deformuar procesin zgjedhor. Paratë e pista të kontrabandës së armëve, që Saliu dhe Shkëlzeni i fituan në kurriz të 26 jetëve të humbura në Gërdec - po përdoren sot në një përpjekje të dëshpëruar për të blerë mediat e pavarura për fushatën e zgjedhjeve lokale”, deklaroi Balla. Sipas tij, rasti i televizionit Neës 24 është rasti më flagrant, ku njerëz të lidhur ngushtë me regjimin e Berishës dhe Metës po përpiqen ta blejnë këtë media me para në dorë, me çdo kusht e me çdo çmim. “Miliona euro të fituara nga vjedhja, kontrabanda e vrasjet po ofrojnë sekserët e Saliut, Ilirit dhe Lulit të Saliut, vetëm e vetëm për të vënë nën kontroll median e pavarur. Së fundi, po të njëjtët njerëz, po përpiqen të pastrojnë paratë e pista të vjedhjes, krimit e kontrabandës, që duan të përdorin për këtë blerje, duke siguruar kredi nga bankat që operojnë në Shqipëri”, deklaroi Balla. Më tej deputeti socialist tha se besonte që bankat që operojnë në tregun shqiptar do të kenë integritetin të mos bëhen pjesë e kësaj loje ligjërisht të dënueshme, duke pastruar paratë e pista të pushtetit dhe duke e ndihmuar vënien nën kontroll të mediave të pavarura shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›