E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Zgjidhni ngërçin, ndryshe nuk shkoni në BE

TIRANË- Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule, deklaroi dje se ngërçi politik në Tiranë duhet zgjidhur, me qëllim që progres-raporti i ardhshëm për Shqipërinë të jetë pozitiv. Në vizitën e tij të shkurtër në Tiranë ku mori pjesë në një seminar të bashkëdrejtuar nga Ministria e Integrimit dhe Komisioni Europian, lidhur me 12 prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të ketë për të ecur në rrugën e saj europiane, Fule dha edhe një deklaratë për mediat. Ai e vuri theksin te zgjidhja e ngërçit, duke paralajmëruar se në të kundërt për Shqipërinë do të ketë pasoja.

“Ngërçi duhet të zgjidhet. Është përgjegjësi e përbashkët e udhëheqësve politikë në Shqipëri. Kjo është çka shqiptarët presin dhe kanë të drejtë ta kenë. Ngërçi përbën pengesë serioze të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit dhe kritereve për integrimin në BE”- nënvizoi Fyle në mesazhin e tij. Ai ka kërkuar që partitë politike të ndërmarrin hapa konkretë në një afat të shkurtër kohor. “Nëse nuk gjeni asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë asnjë vlerësim pozitiv në progres-raportin tonë të ardhshëm dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës europiane së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, por mund të ngelet prapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE”,- tha ai. Për këtë arsye, komisioneri për zgjerimin, Fule, ka inkurajuar të dyja palët për të bërë një dialog konstruktiv, të përmirësojnë funksionin e Parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së. Lidhur me zgjedhjet vendore të 8 Majit, Fule theksoi domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor sipas standardeve europiane. “Shqipëria nuk mund të humbë këtë mundësi... Bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet partive për implementimin e praktikave të OSBE/ODIHR-it është çelësi i suksesit dhe mundësi për të çuar ngërçin drejt fundit", - tha Fule, duke këshilluar që udhëheqësit politikë të bisedojnë me njëri-tjetrin.“Shpresoj se fryma e mirë në këtë seminar të mund të transferohet dhe në Parlament. E rëndësishme është që diskutimet politike të vazhdojnë dhe procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe i fokusuar në çështjet kryesore”, - shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›