Balla: Berisha me bekimin e Nishanit po uzurpon institucionet
Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj, Taulant Ballës ka akuzuar kryeministrin e vendit se po vë nën kontroll institucionet e rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës. Nëpërmjet një deklarate për median, Balla i kërkoi kryeministrit të heqë dorë nga skenarët e vjetër të kapjes së shtetit si dhe theksoi se Shqipërisë i nevojitet rilindje shqiptare. Deputeti socialist Taulant Balla në emër të opozitës kërkoi sqarime për postin e ri të Ylli Zylës, i cili u emërua në krye të Policisë Ushtarake. Ndër të tjera deputeti socialist theksoi se presidenti Nishani konfirmoi pritshmërinë e të gjithëve se ai nuk mund të jetë tjetër veçse një kukull nën komandën e kryeministrit, duke shndërruar presidencën në një ministri të dorës së dytë të kësaj qeverie.
Alarmi i opozitës
Deputeti Balla renditi rastet kur sipas tij, frerët e institucioneve të pavarura po merren në dorë, nga njerëzit e kryeministrit, tashmë edhe me bekimin e presidentit Bujar Nishani. Bujar Nishani konfirmoi pritshmërinë e të gjithëve se ai nuk mund jetë tjetër veçse një kukull e komanduar tërësisht nga Sali Berisha, duke e shndërruar Presidencën në një ministri të dorës së dytë të kësaj Qeverie. Shkarkimi i Drejtorit të SHISH-it dhe emërimi i Visho Ajazit në krye të këtij Shërbimi, pa asnjë konsultim me partnerët dhe shërbimet partnere, zgjedhja e Elvis Cefës nënkryetar i KLD-së, vazhduan dje me emërimin e Ylli Zylës në krye të Policisë Ushtarake. Si ka mundësi që një person si Ylli Zyla, i dorëhequr si Drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar armësh dhe përgjime të paligjshme të opozitës dhe të diplomatëve të huaj në Tiranë, emërohet nga treshja Berisha, Nishani dhe Imami, në këtë pozicion kaq të rëndësishëm të ushtrisë shqiptare? Më lejoni të kujtoj se bashkëshortja e Ylli Zylës rezultoi të ishte bashkë-aksionere me një ish-shtetas shqiptar me pasaportë serbe dhe një shtetas polak në një kompani të licensuar për eksport armësh, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin “Për konfliktin e Interesit, deklaroi zoti Balla.
Trafiku i armëve
Deputeti Balla ka ripërsëritur akuzat e opozitës për përgjime të jashtëligjëshme nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë për llogari të kryeministrit. Sali Berisha, Arben Imami dhe Ylli Zyla ngritën në Ministrinë e Mbrojtjes një njësi përgjimi të paligjshëm. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për Ylli Zylën, për lidhjet e tij me trafikun e armëve, trafik që Saliu edhe i biri e njohin mirë. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për të gjitha urdhëratë e dhëna për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve për përgjim në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe ky emërim i bërë në këto kushte është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit. I them Sali Berishës, hiq dorë nga këto skenarë të vjetër të kapjes së shtetit. Koha jote po mbaron! Vënia nën kontroll e një sërë institucionesh të pavarura nga ana Sali Berishës në bashkëpunim me Bujar Nishanin, tregojnë se pushtetit të Sali Berishës i ka ardhur fundi, shtoi deputeti socialist.
Rritja e pagave, Malaj: Lëvizje politike e Qeverisë
Rritja e rrogave për administratën dhe për vendorët po përdoret për mbijetesa politike. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, analizon vendimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe shprehet se nuk po bëhet transparencë, pasi deficiti ka pësuar rritje me 3.5 për qind. Ndërsa në lidhje me ankandin e bonove të thesarit, Malaj deklaron se shqiptarët nuk po paguajnë për zhvillimin, por për politikën. Sipas Qeverisë, rritja e fundit e rrogave është bërë pas performancës ekonomike dhe bazuar në nivelin e lartë të mbledhjes së taksave.
Financat mbyllin ankandin e bonove të thesarit në euro
Ministria e Financave mbyll ankandin e bonove të thesarit në euro. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se në këtë ankand u ofrua 20 milionë euro nga 15 milionë euro që kërkonte qeveria. Rreth 10 milionë euro u ofruan nga individët dhe ky fakt për Ministrinë e Financave konsiderohet sukses, pasi qytetarët po i shohin bonot e thesarit si një alternativë të leverdishme investimi. Burime zyrtare në dikasterin e financave bëjnë të ditur se bonot iu janë shitur individëve me interes 5.27 %, ndërsa bankave me interes 5.57 %.
Haxhinasto me të rinjtë: LSI në 2013 me ofertë ekonomike
Lëvizja Rinore për Integrim po organizon një kamping rinor në bregdetin e Jalës, ku qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim marrin pjesë në aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese gjatë qëndrimit 5 ditor në bregdetin e Jonit. Kampingu LRI, Jalë 2012, u hap nga Zv.Kryetari i LSI-së, z. Haxhinasto dhe nga Kryetari i LRI- së, Endrit Braimllari. Në fjalën e tij Haxhinasto ka përgëzuar të gjithë të rinjtë e LRI-së për kontributin e tyre në rritjen elektorale dhe cilësore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Haxhinasto, gjithashtu i falënderoi të rinjtë për energjinë pozitive që ata i japin çdo ditë LSI-së. Sipas tij LSI është një forcë politike e cila ka kontribuar për të gjithë shqiptarët, ka kontribuar për integrimin e tyre, para së gjithash mes vetes.
Ne jemi partia e integrimit. Jemi partia e Evropës. Në vizionin tonë, edhe në dokumentet tonë, të cilët do të trajtohen edhe në Konventën e ardhshme ne do të mendojmë dhe do të paraqesim propozimet tona për Shqipërinë e së ardhmes, për Shqipërinë e 2020, kur besojmë që do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian., theksoi ai. Një çështje themelore për LSI-në, Haxhinasto ka prekur çështjen e punësimit dhe programit ekonomik. Shqipëria është një vend në zhvillim. Potencialet e saj janë të jashtëzakonshme, potenciale të cilat kanë nevojë të menaxhohen në mënyrë më të mirë, në mënyrë më efikase, në mënyrë më të integruar me qëllim që të garantohet një mirëqenie më e lartë për të gjithë qytetarët shqiptarë, theksoi ai.
Bregu takim me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së në Dhërmi
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu është takuar këtë fundjavë me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, që në kuadrin e aktiviteteve formuese të Forumit, për të rinjtë, janë mbledhur që prej 22 korrikut në Kampingun Veror “Blue Marine” në plazhin e Drimadhës (Dhërmi). Në këtë bashkëbisedim, ministrja Bregu pasi i ka informuar të rinjtë për ecurinë e procesit të integrimit, për plotësimin e 12 pikave të Planit të Veprimit, i cili është hartuar e konsultuar ngushtësisht me Komisionin Parlamentar të Integrimit, shoqërinë civile dhe Komisionin Evropian, ka ndaluar dhe tek çështja politike e ditës, heqja e imunitetit. Ministrja Bregu ka theksuar edhe një herë se heqja e imunitetit që është një kusht për të marrë në vjeshtën e këtij viti, një përgjigje pozitive, mbi statusin e vendit kandidat, është detyrimi madhor i paplotësuar brenda kalendarit, deri në mujain korrik, të miratuar së bashku me Komisionin Paralamentar të Integrimit. Duke përmenduar shembujt e gjithe vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, ministrja Bregu vuri edhe një herë në dukje se askund nuk ndodh që opozita të bllokojë proçeset e të hedhë baltë mbi çdo zhvlllim pozitiv, në momentet më të rëndësishme kombëtare, siç vazhdon të bëjë opozita shqiptare. Siç bëri edhe me 6 gusht. Referendumi i qytetarëve, që na duan të gjithve të barabartë para ligjit, do të jetë zgjidhja e vetme, ka theksuar ministrja Bregu. Ministrja Bregu theksoi se kohë nuk ka, shtatori është muaji i cili fillon me një vrull për të raportuar dhe për një sërë detyrimesh të tjera që qeverie shqiptare ka marrë përsipër të realizojë.