Balla: Debati për minimumin jetik, në seancë kur të diskutohet projektbuxheti

TIRANË, 17 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se kërkesat e Partisë Demokratike në Konferencën e Kryetarëve për mocione me debat janë në fakt rendi i ditës i foltores që do të vendoset në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një komunikim për mediet, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla bëri të ditur se opozita kërkoi mocion me debat për buxhetin e vitit 2026.
“Në tre muajt e parë të këtij Kuvendi, nga ana e grupeve parlamentare të opozitës kanë ardhur një numër kërkesash për debat, dy herë më shumë sesa në këto vite. Mocionet me debat janë instrument i parashikuar në Rregulloren e Kuvendit për një çështje të caktuar. Sot na u kërkua që të bëjmë një mocion me debat për buxhetin e shtetit”, u shpreh Balla.
Sipas tij, Kuvendi përfshihet ekskluzivisht në çështjen e buxhetit dhe paketës fiskale që e shoqëron.
“Vijnë dhe kërkojnë mocion me debat për minimumin jetik, ndërkohë që po diskutohet buxheti dhe ky është buxheti më i madh në histori. Jemi të gatshëm që ditën e mërkurë, kur të diskutohet buxheti, të bëhet edhe ky diskutim”, u shpreh Balla.
Sipas tij, projektbuxheti 2026 parashikon rritjen më të madhe të pensioneve në këto 23 vite, apo në sektorët më jetikë të vendit.
Por, sipas Ballës, këtu nuk kemi të bëjmë me një kërkesë që bëhet me qëllimin e mirë të mbajtjes së një debati politik.
“Ky evazion kërkesash vjen me qëllim që të thonë se u bë një kërkesë dhe nuk u pranua. Sapo u ulëm në Konferencën e Kryetarëve u erdhi dhe një kërkesë tjetër. Këta duan që të shkojnë në Bulevard, të bëjnë kërkesa, ne nuk kemi kohë për të humbur”, tha Balla.
Ndërsa e cilësoi “legjitime” protestën e thirrur nga opozita, Balla solli në vëmendje faktin se “protestojnë kur i thërret drejtësia”.
“Fati i tyre dihet. Zgjedhjet e radhës do të vijnë dhe do të thellohet diferenca e humbjeve.
Në Konferencën e kaluar të Kryetarëve ne i kemi miratuar të dyja kërkesat për mocion me debat. Debati për buxhetin është miratuar me konsensus, kalendari është miratuar me konsensus. Seanca fillon të mërkurën dhe çdo deputet ka 10 minuta kohë për të folur”, u shpreh Balla. /j.p/r.e/