Balla: E papranueshme që “non gratat” të jenë pjesë e politikës

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se “non gratat” nuk duhet të jenë më pjesë e Kuvendit dhe politikës shqiptare.
Në fjalën e tij në Kuvend, ndërsa diskutohej ratifikimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë, Balla u shpreh se opozita duhet të distancohet nga Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor dhe cenim të demokracisë.
Balla e nisi fjalën e tij duke kujtuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Besoj që ndaj mendimin e gjithë kolegëve që Kuvendi i Shqipërisë t’i urojmë popullit të SHBA gëzuar 248-vjetorin e Ditës së tyre të Pavarësisë. Natyrishëm edhe t’i shprehim mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këto plot 102 vite marrëdhënie diplomatike. Dhe pa harruar asnjëherë kontributin e pazëvendësueshëm të SHBA, presidentit Wilson, lidhur me mbështetjen e krijimit të shtetit shqiptar dhe pa harruar gjithë këtë marrëdhënie të ngushtë prej aleati strategjik prej vitit 1991 dhe deri më tani. Po ashtu, pa harruar mbështetjen edhe sa i përket forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe kontributin e drejtpërdrejt të agjencive ligjzbatuese amerikane sa i përket luftës ndaj korrupsionit”, tha Balla.
“Secili prej nesh këtu, pavarësisht krahut ku bën pjesë, bashkëndan me partnerin tonë strategjik se personat të cilët janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, që kanë dëmtuar, sabotuar demokracinë në këtë vend, s’duhet kurrësesi të jenë pjesë e këtij Kuvendi dhe pjesë e politikës shqiptare në tërësi. Dhe në këtë këndvështrim është e papranueshme që në Shqipëri vazhdojmë ende të kemi persona të shpallur “non grata” nga SHBA të cilët të jenë pjesë e politikës së vendit dhe këtu mendoj që ka ardhur koha që të gjeni pak kurajo, nëse ju ka mbetur ende kurajo, për ta ndarë njëherë e përgjithmonë veten tuaj nga “non grata””, thekson Balla.
Minstri i Brendshëm tha se drejtësia është e barabartë për të gjithë. Sipas tij, ata që thonë se SPAK sillet ndryshe me opozitën dhe ndryshe me kundërshtarin politik të opozitës, janë qesharakë.
“Duhet të jeni minimalisht seriozë me ata që ju ndjekin, sepse nuk mund të vijë zotëria që sapo foli, e nisi fjalën e tij me konstatimin se Sali Berisha qenka një i dënuar politik, se SPAK në rastin e tij ka bërë gabim, është përdorur politikisht nga ana e shumicës. Në pjesën tjetër të fjalës ai tha që SPAK pastaj ka bërë me mirë me ish-ministrin filan, apo me x përfaqësues të krahut tjetër të sallës. Kjo nuk është serioze dhe nuk ke asnjë shans që ndonjëri prej atyre që na ndjekin të të besojnë”, tha Balla.
Sipas tij, opozita që sot akuzon SPAK, është ajo që e votoi me pahir apo e sabotoi votimin e ligjeve për ngritjen e strukturës të drejtësisë së re.
“Pra ky SPAK, që kur ne flisnim në vitin 2016-2017, shumë prej jush qeshnin. Por, ne e kemi ditur që prej ditës së parë, që një njësi e posaçme, një strukturë e posaçme, e cila do të luftonte korrupsionin e krimin e organizuar duhej ngritur në Shqipëri. Dhe u ngrit. E kush e ngriti? Kush i votoi? Ju erdhët me pahir. Ajo që quhet PD, i ka bojkotuar, i ka sabotuar të gjitha ligjet që lidhen me implementimin e plotë të paketës së madhe të Reformës në Drejtësi. Tani, ajo që po ju them është: bëhuni seriozë me SPAK, ku drejtësia është e njëjta si për Sali Berishën, si për këdo tjetër në këtë vend. Nëse ju do të vazhdoni të thoni se për Saliun është SKAP dhe për kundërshtarin politik përballë është SPAK, shanset për t’ju besuar njeri janë zero”, tha Balla.
“Ajo që duhet të fitoni ju, është të fitoni betejën brenda vetes dhe pastaj të bëheni gati, nëse do bëheni gati, të hyni në një betejë politike me ne”, nënvizoi Balla.
/r.e/