E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Gati të verifikojmë një për një kutitë e votimit

Partia Socialiste deklaroi sot se refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur në 28 qershor përbën provën më të qartë se kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës së thellë politike dhe institucionale në vend.
"Ne e sfiduam Sali Berishën dhe pushtetin e tij, duke kërkuar transparencën e kutisë së Ruzhdies, pa qenë në dijeni të të dhënave, por me bindjen e plotë se informacionet tona janë tërësisht të sakta,dhe janë të lidhura me një grabitje me përmasa skandaloze më 28 qershor", tha Taulant Balla.
Ne, vijoi ai, i dhamë mundësinë Sali Berishës të hapte të paktën një kuti, Ruzhdien, për të treguar se mazhoranca që ai drejton është e gatshme të zgjidhë krizën politike, për të treguar gjithashtu se nuk janë kundër transparencës, kundër standardeve evropiane, kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme.
"Por Sali Berisha deri tani ka refuzuar. Tashmë që e vërteta e Ruzhdies ka filluar të shfaqet dhe fakte të reja po dalin çdo ditë, përmasat e manipulimit elektoral të 28 qershorit po bëhen gjithmonë e më të qarta. Vetëm në një kuti votimi nga disa mijëra në Shqipëri, më shumë se 3/5 e numrave të identifikimit të votuesve janë të falsifikuara. Fakti që Sali Berisha refuzon në mënyrë të përsëritur të bëjë transparencën zgjedhore, tregon se manipulimi elektoral që ka ndodhur në Ruzhdije nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut së grabitjes së votave dhe falsifikimit të dokumenteve të identifikimit, të cilën Sali Berisha kërkon ta fshehë me çdo kusht.
Ditën e enjte, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, paraqiti para shqiptarëve prova të reja të grabitjes elektorale, përmes përdorimit të kartave të identifikimit të falsifikuara në Tropojë, Dibër, Tiranë dhe Korçë. I bëjmë me dije Sali Berishës se ne jemi gati ti verifikojmë, një për një, në kutitë e votimit numrat e kartave të falsifikuara të publikuara nga zoti Ruci, dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se në kutitë e 28 qershorit gjenden 70 mijë numra identiteti të falsifikuar. Nëse Sali Berisha është i sigurtë se në kuti nuk fshihen numra identiteti të falsifikuar, ai duhet të pranojë hapjen e kutive. Nëse Sali Berisha është i sigurt se nuk ka asnjë lidhje me kartat e identitetit të falsifikuara të paraqituara nga zoti Ruçi, dhe se ato gjoja i paskemi prodhuar ne, këtë e sqaron vetëm hapja e kutive", nënvizoi Balla.
Deklaroj, vijoi ai, me përgjegjësi të plotë ligjore, politike dhe morale se nuk kam asnjë lidhje me prodhimin e atyre kartave. "Po me të njëjtën përgjegjësi, i kërkoj Sali Berishës të sqarojë lidhjen e tij me 70 mije numra identiteti të falsifikuar, duke pranuar hapjen e kutive të 28 qershorit. Tashmë çështja e manipulimit të zgjedhjeve nuk është më vetëm dhe thjesht një çështje e sistemit elektoral. Tashmë, për të gjithë shqiptarët është e qartë se grabitja e votave nga Sali Berisha, është kthyer në një sistem të konsoliduar hajdutërie, që ka vënë në rrezik jo vetëm demokracinë në vend, por ka vështirësuar jetën e përditshme të çdo shqiptari", theksoi Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›