Balla: Kukësi, më i frikshëm në fazën e dytë
Drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, pohon se përgatitjet në Mal të Zi dhe lëvizjet në merkato e kanë fuqizuar jo pak ekipin
Në Kukës, ku tashmë futbolli është bërë tema e ditës, të gjithë besojnë se ekipi do të jetë më i fortë fazën e dytë dhe në fund do të realizojë ëndrrën e superligës. Edhe drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, i cili është gjithë kohës pranë ekipit, shpreh bindjen se Kukësi është fuqizuar nga merkatoja e dimrit, si dhe nga stërvitja në Mal të Zi.
Sipas tij, përforcimet e bëra falë presidentit Ramë Geci dhe donatorëve të tjerë, janë të goditura, kështu që Kukësi do të vazhdojë i qetë rrugën drejt elitës së futbollit shqiptar. Për Sportin shqiptar, pas kthimit të ekipit nga Ulqini, drejtori teknik Balla u shpreh: Faza përgatitore ka shkuar sipas parashikimeve tona. Kemi punuar në kushte shumë të mira, ndërkohë që lojtarët i kanë përballuar me sukses ngarkesat e dhëna nga stafi teknik, me në krye trajnerin Shahin Berberi.
Është bërë një punë shumë e mirë dhe dua të theksoj se lojtarët e ardhur te Kukësi gjatë merkatos së dimrit e kanë fuqizuar ndjeshëm ekipin. Të ardhurit kanë arritur të përshtaten shpejt me lojën e Kukësit, ndaj dhe mendoj se do të jenë një armë e fortë për ndeshjet e fazës së dytë. Ndeshjen e parë të 2012-ës do ta luajmë në fushën tonë me Butrintin dhe fitorja është një detyrim. Tifozët tanë do të shohin një ekip më të fortë dhe më rezultativ.
Miqësoret Në Ulqin Kukësi luajti një ndeshje miqësore me Vllazninë, ku humbi 3-2, ndërsa sot ka programuar një të tillë me Olimpikun e kategorisë së dytë. Kjo miqësore do të zhvillohet në fushën e Olimpikut, në Yrshek. Trajneri Berberi synon konsolidimin e ekipit nëpërmjet këtyre miqësoreve para ndeshjes së parë zyrtare. Nga kuksianët është larguar golashënuesi Ivanaj, ndërkohë që janë afruar Hamzai, Allamani, Lena dhe Memishaj.
