Gramshi, porta i besohet përsëri Lorenc Koçit
Stafi drejtues i Gramshit është i qartë për sa u takon pozicioneve delikate në ekip. Kështu, është vendosur që Lorenc Koçi të mbetet gardiani i portës edhe për këtë vit. 20-vjeçari ka një përvojë disavjeçare me fanellën e ekipit mëmë, ku titullar ka qenë dy sezonet e fundit. Sipas tij, Gramshi ka njohur vetëm ngritje gjatë viteve të fundit dhe gjithçka ka ardhur si produkt i elementit vendës, por edhe interesit të madh të tifozërisë, që sa vjen dhe rritet në numër. ”Natyrisht, duhet të falënderoj drejtuesit e lartë të klubit për besimin.
Mendoj se Gramshi tashmë është një ekip i konsoliduar në kategorinë e parë dhe besoj se për këtë të gjithë gramshiotët kanë investuar pa masë. Fazën e dytë e shoh si një përpjekje për të instaluar traditën e futbollit, duke arritur objektivin për në 6-shen e parë, – u shpreh për Sportin shqiptar portieri Lorenc Koçi. Nga ana tjetër, stafi teknik ka dhënë ok-in për zyrtarizimin e një tjetër futbollisti, mbrojtësin Kaloshi. Ende nuk jepen detaje të hollësishme për dy emrat e tjerë dhe vendimtare për zyrtarizimin e tyre do të jetë java e ardhshme.
