Dede: Luftëtari ka gjithçka për të qenë kompetitiv
Trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede, ka bërë të ditur se për formacionin nuk do të niset nga emrat, por nga paraqitja e çdo lojtari
Luftëtari ka nisur dje punën në Gjirokastër, pas zborit 10-ditor në Ulqin. Stafi i ri teknik, i përbërë nga dyshja Dede-Novi, kanë tashmë një ide më të qartë për grupin e futbollistëve që do të dreejtojnë gjatë fazës së dytë. Kryeqytetasi i stolit gjirokastrit flet me nota pozitive për Luftëtarin, por nuk harron të thotë se do të kërkojë gjithmonë punë sistematike nga të gjithë:
Luftëtari u stërvit mirë në Ulqin, ku grupi ishte i bashkuar, gjë që e ndihmon shumë stafin teknik. Jemi munduar të korrigjojmë disa gjëra në ekip, prandaj dhe e kemi parë me kujdes lojën gjatë miqësoreve që kemi luajtur në Mal të Zi. Nuk mund ta them se çdo gjë do të shkojë si duhet që në ndeshjen e prapambetur me Kukësin. Mendoj se kemi një ekip kompetitiv, në formacionin e të cilit do të jetë ai që e meriton.
Parapëlqej ata lojtarë që japin për ekipin, që janë punëtorë. Dua të them se nuk mjafton vetëm talenti për të qenë një lojtar i mirë. Stafi teknik do të kërkojë gjithmonë më shumë nga Luftëtari, javë pas jave, në mënyrë që ta arrijmë objektivin, ka theksuar trajneri Dede.
Me pëlqimin e tij janë afruar tek ekipi gjirokastrit 3 lojtarë të rinj, Strati, Hithi dhe Nino. Luftëtari ka kështu një grup të kompletuar, pavarësisht se për momentin disa titullarë janë të dëmtuar, ndaj dhe i ka kushtet të përballojë çdo sfidë të fazës së dytë.
Konkurrenca Trajneri Dede hodhi në fushë formacione të ndryshme në miqësoret me Vllazninë dhe Tomorin, ku Luftëtari regjistroi përkatësisht një barazim dhe një humbje. Në ekip ka konkurrencë dhe për këtë arsye trajneri i provoi të gjithë për të qenë më i qartë.
Aktivizimi ose jo në formacion do të varet nga paraqitja e çdo lojtari në stërvitje, nga përkushtimi dhe agresiviteti i tij. Nuk do të nisem nga emrat. Lojtarë si Devolli dhe Nora duhet të jenë shembull për të tjerët. Deri në ndeshjen e parë na duhet të punojmë sa më shumë për ta përmirësuar lojën tonë, ka thënë në fund Dede.
