Balla: Ligji për pronat, familja në pushtet privatizon bregdetin
TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar sot se ligji i ri "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin", është për bërë për interesa të ngushta të familjes në pushtet, që në me ligj tashmë bëhet edhe pronare e bregdetit shqiptar.
Balla tha se Qeveria ka afat deri nesër të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë që përfitojnë nga ky ligj. "Partia Socialiste i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, kush janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj".
Ndërsa shpjegoi se ka dyshime të forta se ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të tij dhe të ministrave të oborrit. "Në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë kush janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji", deklaroi Balla.
Sipas tij, Berisha duhet të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se pse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka ti shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to.