E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arritja e kritereve do të sjellë vendimin e rëndësishëm për shqiptarët”

27/10/2009  Kryeministri Berisha i bindur për vendimin e liberalizimit të vizave

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se qeveria që drejton është besimplotë se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës Bashkimi Evropian do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Për të mbështetur këtë tezë kreu i qeverisë theksoi se po plotësohen të gjitha kriteret e vendosura në kohë rekord. Sipas tij, arritja e kritereve do të sjellë vendimin e rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Berisha ka thënë se qeveria do të ecë përpara në të gjitha problemet e integrimit dhe të liberalizimit të vizave dhe problemet e luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar në tërësi për problemet më madhore të vendit. Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën që të bëhet pjesë e reformave të mëdha e të nevojshme, të cilat përshpejtojnë integrimin e vendit. “Ftoj opozitën të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtet realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza është një arritje historike jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Është një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - ka deklaruar kryeministri Berisha.

Duke folur para deputetëve demokratë, Berisha kujtoi premtimin elektoral se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëhen të gjitha përpjekjet, do të plotësohen të gjitha kushtet dhe do të ndërmerren reformat e nevojshme, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët. “Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo vend, por ndoshta është ndër më të rëndësishmit për shqiptarët, pasi pothuajse 25 për qind e tyre janë në emigracion dhe kanë me mijëra e mijëra probleme bashkimi familjar, kanë edhe mundësi shkollimi dhe punësimi më të madhe. Pra, ky vendim krijon një situatë tërësisht të re për qytetarët shqiptarë”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. “Qeveria që nga votëbesimi i saj në Parlament e deri më sot ka bërë përpjekjet më të mëdha në krahasim me çdo fushë tjetër për të plotësuar të gjitha kërkesat në njësi kohe rekord dhe për të merituar këtë vendim. Ne e marrim atë si një vendim që duhet ta meritojmë. Në vendimin e Komisionit Evropian, siç është bërë e qartë edhe publikisht, ka pasur një ndikim të qartë numri tepër i vogël i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike”, - theksoi shefi i ekzekutivit. Duke përcjellë angazhimet e qeverisë që drejton, Berisha nënvizoi se janë miratuar një sërë ligjesh shumë të rëndësishme të sistemit fiskal, duke veçuar ligjin e pagesës së TVSH-së brenda një muaji dhe ai i aplikimit të parimit “heshtja është pohim”. Ai tha se mazhoranca po ecën e sigurt me trajtimin e saj më serioz të kërkesave për liberalizimin e vizave për shqiptarët, në mbajtjen e premtimit të saj për një vendimmarrje brenda vitit të parë të këtij mandati. Kryeministri tha se qeveria po punon fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai bëri me dije se edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë janë miratuar projektligje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, që lidhen me ngrirjen e aseteve të tij. “T’u japim përgjigjen më të mirë dhe më bashkëkohore pronave të krimit me qëndrimin që do të mbahet nga autoritet shqiptare ndaj tyre”, - ka thënë kreu i qeverisë.

Pasaportat biometrike - kontribut për liberalizimin

Duke bërë një analizë të punës së qeverisë në përmbushje të detyrimeve dhe arritjen e kritereve të domosdoshme, kryeministri Berisha e ka vënë theksin në punën e bërë për dokumentet e identifikimit dhe në mënyrë të veçantë në pajisjen e popullsisë me pasaportat biometrike. Ai ka thënë se pajisja me pasaportën biometrike përbën një kontribut në procesin e liberalizimit të vizave. Shefi i ekzekutivit ka deklaruar se shifra e qytetarëve shqiptarë që kanë tashmë në dorë pasaportën me të dhëna biometrike ka mbërritur në 180 mijë. “Unë kam kënaqësi t’ju informoj se deri tani aplikimet për pasaporta biometrike janë 231 725, nga të cilat janë prodhuar dhe shpërndarë në rajonet e policisë 223 545 dhe janë tërhequr nga shtetasit rreth 180 000. Edhe një herë thirrja ime për mbarë qytetarët shqiptarë është që të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportat e reja biometrike, pasaporta të teknologjisë më të lartë”, - ka thënë ai. Kryeministri Berisha ka evidentuar faktin se pasaportat biometrike që prodhohen në Shqipëri janë të një cilësie shumë të lartë dhe që janë vlerësuar. Berisha rrëfeu një episod gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara, kur takoi një student shqiptar, i cili i tregoi se autoritetet e kontrollit të kufirit në SHBA i kishin thënë se është e teknologjisë më të lartë dhe më të rralla.

Masa për modernizimin e kontrollit kufitar

Shefi i ekzekutivit ka thënë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se qeveria ka marrë masat dhe ka përshpejtuar të gjithë procesin e modernizimit të kontrollit të kufijve. Sipas tij, nga të gjitha kërkesat specifike që kanë lidhje me kalimin e kufirit, kontrollin e integruar të tyre, janë në plotësim e sipër përfundimtar brenda muajit nëntor, më së shumti. Kryeministri Berisha bëri me dije se janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të dhënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Sipas tij, strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit. “Për pasaportat e humbura, por edhe për makinat, ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kategorizimin, standardet dhe kriteret e kontrollit në pikat e kalimit të kufirit”, - ka thënë Berisha. Ai tha se po ashtu janë marrë vendime të tjera shumë të rëndësishme që lidhem me modernizimin e pikave kufitare të vendit, kusht i rëndësishëm për integrimin e vendit dhe procesin e liberalizimit të vizave. Berisha tha se kanë mbetur gjithsej pesë pika kufitare, në të cilat do të instalohet gjatë këtyre ditëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›