E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Në Kuvend, pasi të plotësohen kushtet

“Nuk mund të kthehemi në atë parlament, nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha deputeti Taulant Balla.

Ai shtoi se PS-ja do të jetë në  Parlament vetëm atëherë kur të garantohet hetimi i kutive të votimit, rikthimi në punë i opozitarëve, “ndëshkimi me ligj i urdhëruesve të lirimit nga burgjet të kriminelëve që bënë fushatë dhe presion për të votuar pushtetin.  Qytetarët shqiptarë na kanë dhënë përgjegjësinë e madhe për të mbrojtur demokracinë dhe demokracia mbrohet duke respektuar votën”.

Sipas Ballës, e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të garantohet nga institucione me legjitimitet të cunguar, por nga institucione plotësisht demokratike.

“Gjatë legjislaturës së fundit, përmes kontributit dhe bashkëpunimit të deputetëve të Partisë Socialiste, kuvendi ka kaluar të gjithë kuadrin ligjor të domosdoshëm që lidhet me liberalizimin e vizave, por i kundërt ka qenë reagimi i qeverisë në përmbushjen e standardeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e plotë të vizave. Qeveria është ekskluzivisht përgjegjëse për procesin tejet të vonuar të pajisjes së qytetarëve më pasaporta biometrike ndërsa është dorëzuar plotësisht në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar”, tha më tej deputeti socialist. 

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›