Guma: Progonati meriton shumë më tepër, jam këtu për të dëgjuar çdo zë

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 9 nëntorit, kandidati i mbështetur nga opozita për bashkinë Tepelenë, Gabriel Guma zhvilloi një takim me banorë të Progonatit.
Guma dëgjoi nga banorët, shqetësimet e tyre për rrugët e dëmtuara, mungesën e investimeve dhe vështirësitë e jetës në një zonë që, sipas tij, “meriton shumë më tepër”.
“Në çdo shtëpi që hyra, ndjeva forcën e njerëzve që nuk dorëzohen, por edhe zhgënjimin nga premtimet e pambajtura. Progonati ka histori, shpirt dhe potencial ajo që mungon është vëmendja dhe vullneti për të ndryshuar realisht. Unë jam këtu për ta dëgjuar çdo zë dhe për ta kthyer në veprim”, tha Guma në një postim në rrjetet sociale.
/k.s/j.p/