Balla: PE është kundër djegies së fletëve të votimit

Sipas deputetit të PS-së, Taulant Balla, qëndrimi i Berishës në darkën e Strasburgut ishte i paqëndrueshëm, fshihej pas teknikaliteteve dhe shumë i luhatur në qëndrimet e veta
Z. Balla ju ishit pjesë e delegacionit që përfaqësoi PS-në në bisedimet për zgjidhjen e krizës në Strasburg. Pavarësisht se nuk ishit pjesë e tryezës së ngushtë, nga aq kontakte sa patët ju mund të themi se negociatat për zgjidhjen e krizës dështuan?
Unë dua që të bëhet e qartë për të gjithë se tryeza politike e Strasburgut ishte fillimi i një komunikimi që do të çojë në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale që ka mbërthyer Shqipërinë, për shkak të bllokimit të transparencës, element thelbësor në përqasjen e Shqipërisë drejt praktikave dhe standardeve europiane.
Sigurisht që kishte një pritshmëri të madhe publike për një marrëveshje për transparencë nga kjo tryezë, por unë mund t'ju them se kjo marrëveshje është shumë e afërt. Është e vërtetë se nuk pati një rezultat konkret dhe përfundimtar, por në këndvështrimin tonë është bërë një progres shumë i rëndësishëm. Duhet të jetë e qartë për të gjithë që tashmë çështja e transparencës në Shqipëri përbën një shqetësim shumë të madh për partnerët më të mëdhenj të Shqipërisë dhe se diskutimet, përpjekjet dhe ultimatumet për garantimin e transparencës u shprehën qartë në tryezën të nivelit më të lartë të mundshëm, me përfshirjen e të gjithë faktorëve më të rëndësishëm institucionalë të Parlamentit Europian.
Më lejoni t'ju informoj se Bashkimi Europian përfaqësohej në atë tryezë në nivelin më të lartë nga të tre institucionet e veta: Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe Këshilli. Ultimatumit të kësaj tryeze iu bashkëngjitën përmes mbështetjes së shprehur për garantimin e transparencës në Shqipëri edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjithë këta partnerë jo vetëm që shprehin shqetësimet serioze për krizën e thellë në Shqipëri dhe nevojës për zgjidhjen e saj, por tashmë janë të angazhuar konkretisht për të kontribuar që kriza të zgjidhet dhe të hapet rruga e transparencës.
Konkretisht, çfarë opsionesh u diskutuan në këtë darkë informale?
Nëse do të duhet të përmbledh në pak fjalë diskutimet e shprehura në tryezën e Strasburgut dua t'ju them se hapja e kutive është një domosdoshmëri dhe se qeveria, mazhoranca apo Sali Berisha nuk duhet të fshihen më pas teknikaliteteve, por t'i hapin rrugën domosdoshmërisht dhe menjëherë transparencës. Procesi i shumëpritur i hapjes së kutive duket se do të fillojë me kutitë e dokumentacionit zgjedhor, të cilat do të nxjerrin në dritën e diellit te gjitha ruzhdiet e Shqipërisë. Kjo është e pandryshueshme tashmë dhe nuk ka tolerancë nga partnerët tanë për opsione apo argumente boshe të Berishës për teknikalitete apo arkivime.
Opsionet që duhen sqaruar nga pikëpamja juridike dhe do të diskutohen përgjatë këtyre javëve edhe me ekspertët europianë lidhen me fletët e votimit. Unë sot mund t'ju them se palët janë ende në kërkim të një qasjeje për fletët e votimit dhe se kjo qasje do të garantojë transparencë.
Cilat ishin pikat ku dhe ngecën bisedimet, pasi në media është përfolur gjatë lidhur me arritjen e një kompromisi për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ndërsa nuk është rënë dakord për procedurat që duhet të kalohen për verifikimin e kutive....
Për partnerët e Shqipërisë në tryezën e Strasburgut argumentet e Berishës për djegien e fletëve të votimit ishin të papranueshëm, jodemokratikë dhe të paprecedentë përfshirë këtu edhe krahun politik të djathtë në Parlamentin Europian. Prandaj, unë mund t'ju përsëris me bindje se duket qartë kompromisi për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe se qasjet dhe interpretimet për fletët e votimit do të çojnë edhe këto drejt transparencës.
Çfarë kundërshtoi konkretisht PD-ja?
Jo vetëm në atë tryezë, por edhe që prej nëntë muajsh Sali Berisha nuk e di se çfarë kundërshton, sepse nuk ka asnjë argument të qëndrueshëm, të praktikave ligjore në vend dhe të standardeve europiane që të bllokojë transparencën. Berisha është shumë konfuz. Po ta shikoni edhe në daljet për shtyp, një ditë pranon diçka, ndërsa ditën tjetër harron dhe me të njëjtët argumente hedh poshtë vetveten. Kjo ishte edhe figura e Berishës në Strasburg: i paqëndrueshëm, fshihej pas teknikaliteteve, argumente boshe dhe shumë i luhatur në qëndrimet e veta.
Pjesë e negociatave ishin vetëm kutitë apo u diskutua edhe për çështje të tjera si gjykatat, parlamenti, televizioni, kam parasysh një sërë kërkesash që edhe ju si pjesë e grevës së urisë bëtë gjatë ditëve të ngujimit?
Po t'i shikoni me kujdes kërkesat tona, të grevistëve të urisë, ato kanë në themel transparencën. Zgjedhjet, ekonomia, televizioni publik, gjyqësori apo vrasja e deputetit Fatmir Xhindi sot vuajnë nga mungesa e transparencës. Pra, përpjekjeve tona për transparencë në këto fusha dhe çështje, vuajtjeve të grevistëve të urisë, sot i janë bashkuar me angazhimin për t'i dhënë zgjidhje autoritetet më të larta të botës demokratike.
Ju është lënë afat nga partnerët ndërkombëtar të pranishëm në këtë tryezë dy javë kohë për të gjetur një zgjidhje. Vendosja e këtij afati për zgjidhjen e krizës u kushtëzua nga ndërkombëtarët me ndonjë masë penalizuese ndaj proceseve integruese? Keni një shtrat, mbi të cilën do negociohet gjatë këtyre ditëve dhe a do të jenë këto negociata të ndërmjetësuara sërish nga faktori ndërkombëtar?
Afati dyjavor ka një rëndësi shumë të veçantë. Këto dy javë janë një ultimatum, përtej së cilave palët kanë përgjegjësi shumë të mëdha. Sigurisht që përgjegjësia më e madhe bie mbi qeverinë dhe mazhorancën. Më lejoni t'ju sqaroj pse 2 javë. Na ndajnë më pak se dy javë, afro dhjetë ditë, nga muaji qershor. Një muaj plot me pritshmëri dhe angazhime për Shqipërinë. Samiti i Sarajevës në fillim të qershorit, shqyrtimi i vendim-marrjes për liberalizimin e vizave, kthimi i përgjigjeve për pyetjet shtesë të pyetësorit, pra një sërë çështjesh dhe vendimesh historike për Shqipërinë. Të thëna këto besoj se konkluzioni është i qartë. Shqipërisë i duhet me çdo kusht një klimë krejt tjetër politike për këto angazhime. Në të kundërt, këto procese mund të ngecin.
Partia Socialiste është e gatshme dhe i ka bërë tashmë lëshimet dhe të gjitha përpjekjet pozitive për gjetjen e zgjidhje që garanton transparencën. Pala tjetër duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë në kuadër të proceseve integruese dhe përballë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për tu rikthyer tek pyetja juaj mund t'ju them se ka një shtrat, ka një draft mbi të cilin do të negociohet dhe ka angazhim të ekspertëve dhe autoriteteve politike europiane për t'i detyruar palët për të respektuar ultimatumin dyjavor.
Fletët e votimit
Për partnerët e Shqipërisë në tryezën e Strasburgut, argumentet e Berishës për djegien e fletëve të votimit ishin të papranueshëm, jodemokratikë dhe të paprecedentë përfshirë këtu edhe krahun politik të djathtë në Parlamentin Europian. Prandaj, unë mund t'ju përsëris me bindje se duket qartë kompromisi për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe se qasjet dhe interpretimet për fletët e votimit do të çojnë edhe këto drejt transparencës.