Përmbarimi urdhërohet, t'i japë 17 mln lekë paga Agim Shehut

Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Agim Shehut për njohjen e viteve të punës dhe të pagës së tij deri në vitin 2008
Ministria e Brendshme është e detyruar t'i paguajë ish- kreut të Policisë, 17 milionë lekë të vjetra pagë, sigurime shoqërore dhe taksa
TIRANË- Gjykata e kryeqytetit urdhëron Përmbarimin, të ekzekutojë vendimin e saj ku detyrohet Ministria e Brendshme t'i paguajë rreth 17 milionë lekë të reja ish-zv/ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, gjatë viteve 1995-'97 gjeneral Agim Shehut.
Kjo shumë duhet të paguhet si përfitim pasuror që ai do kishte marrë nga momenti i lirimit të tij nga detyra në qershor të 1997, deri në vitin 2008. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të togave të zeza dhe të Ministrisë së Financave, të cilët tashmë janë njohur me vendimin e Gjykatës që është dërguar nga Zyra e Përmbarimit për ekzekutim. Gjyqtari Artan Zeneli, pak kohë pas dhënies së vendimit të dëmshpërblimit për gjeneralin, lëshoi urdhrin e ekzekutimit të tij.
Në vendimin e 26 shkurtit, janë përcaktuar detyrimet e Ministrisë së Brendshme kundrejt Drejtorit të Investigimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Agim Shehu.
Ai i ishte drejtuar Gjykatës duke kërkuar në zbatim të vendimit të muajt shkurt, lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit, që ka marrë formën e prerë me 13 mars 2010. "Kjo kërkesë është e drejtë dhe duhet pranuar, pasi vendimi ka marrë formën e prerë.
Ai është kthyer tashmë në titull ekzekutiv dhe si i tillë duhet zbatuar"-thuhet në vendimin firmosur nga krytari i Gjykatës, Zeneli. Ai ngarkoi zyrën e Përmbarimit në kryeqytet për kryerjen e procedurave përkatëse.
Burime nga Përmbarimi, pohojnë se me këtë vendim janë njohur zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe dega e Thesarit pranë Ministrisë së Financave, ku vendimi është dërguar për ekzekutim.
Vendimi
Në vendimin e dhënë më 26 shkurt 2010, paditësi Agim Shehu nëpërmjet Gjykatës ka kërkuar që
Ministria e Brendshme, të paguajë të gjitha përfitimet pasurore që ai do të kishte që nga momenti i lirimit nga detyra më 30 qershor 1997.
Kjo kërkesë, ka ardhur pasi po kjo Gjykatë, e ka konstatuar aktin e lirimit të tij nga detyra e zv\Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si absolutisht të pavlefshëm si dhe i është kthyer po me vendim gjykate grada e "gjeneralit" e hequr me dekret të Presidentit në qershor 1998.
Mbi bazën e këtyre vendimeve të pavlefshmërisë së aktit të lirimit nga detyra dhe dekretit të heqjes së gradës, Ministria e Brendshme, sipas vendimit, palës së dëmtuar duhet t'i rivendosen të drejtat e shkelura në mënyrën dhe masën që Shehu do t'i gëzonte sikur akti i lirimit nga detyra të mos kishin ekzistuar.
"Duke trajtuar këtë si një dëm të shkaktuar Agim Shehu ka kërkuar fitimin e munguar si pjesë të këtij dëmi të përllogaritur sipas interesave bankare që nga data 30 qershor 1997 e në vazhdim në përputhje me gradën e tij dhe detyrat funksionale.
Gjatë kësaj kohe, Shehu do të kishte përfituar pagën dhe pagesën e sigurimeve shoqërore, sipas përcaktimeve te akteve ligjore e nënligjore ne fuqi, për te gjithë këtë periudhe kohore, deri më 27 nëntor 2008, ditën kur ka filluar punë si drejtor i investigimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve",-thuhet në vendim.
Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje, gjykata vendosi që Ministria e Brendshme t'i paguajë Shehut në përputhje me pagat që do përfitonte shumën prej 12.136.144 lekë të reja.
Përveç kësaj shume, gjykata vendosi që Ministria e Brendshme t"i paguajë në favor të Shehut pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore shumën prej 3.062.642 lekë të reja dhe t'i paguajë pranë Drejtorisë së Tatimeve, si tatim mbi të ardhurat, në vlerën 1.697.568 lekë të reja. Si dhe t'i njihet si kohe pune dhe shërbimi koha që ai ka qenë në "arrati" nga data 30 qershor 1997 e deri më 27 nëntor 2008.