Rama: Thyem tabutë. Nuk do të ketë më Ruzhdie

Bashkëbisedimi / Kreu socialist nuk përjashton mundësinë e një tryeze tjetër dialogu me kryeministrin Berisha
TIRANË - Kreu socialist, Edi Rama, është i bindur se kutitë do të hapen dhe se transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit do të kryhet, për të mos lënë më vend që në zgjedhjet e ardhshme të ripërsëritet fenomeni i vërejtur në Ruzhdie. Tryeza e Strasburgut, sipas tij, pati produktin e vet në drejtim të zhbllokimit të situatës dhe tashmë ajo që mbetet për tu bërë është thjeshtë çështje procedurash. "Falë sakrificës së madhe të atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që ndërmorën hapin për të hyrë në një grevë urie, ne sot jemi besimplotë duke u nisur nga fakti që kutitë do hapen. Mbetet për të diskutuar dhe zgjidhur sesi do të procedohet konkretisht.
Por, tani më është e qartë se të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë nuk do të mbeten më në errësirën e kutive të mbyllura", - tha Rama dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, teksa ka theksuar se beteja për transparencën është në pikën më kulmore të saj. Transparenca, sipas tij, do të realizohet nëpërmjet një hetimi parlamentar që do të mund të ketë akses të plotë dhe mundësinë që të nxjerrë në dritë, gjithçka ka të bëjë me mekanizmin famëkeq të Ruzhdies.
Zoti Rama, kur thoni që kutitë do hapen, për cilat kuti e keni fjalën? Për materialet zgjedhore apo edhe ato të votave?
Do të ishte e udhës për hir të vërtetës që askush të mos e harrojë se vetëm deri para pak ditësh, kutitë ishin tabu. Sot, kjo tabu ka rënë dhe hapja e tyre tani më është e pa shmangshme. Sigurisht, duhet përcaktuar metodologjia, përmes së cilës do të operohet për të gjithë procedurën e hetimit. Ndërkohë që duhet të jemi të ndershëm dhe të qartë se hapja e kutive dhe vënia në dispozicion për hetim, e gjithë dokumentacionit zgjedhor, jo vetëm nxjerr në dritë mekanizmin famëkeq të Ruzhdies, por edhe mundëson që ç'ka ka ndodhur në të shkuarën të zbulohet dhe të shërbejë si një bazë për të ndërtuar të gjitha garancitë që të mos ndodhë në të ardhmen. Lojërat e fjalëve në këtë aspekt nuk vlejnë dhe mbetet e qartë që kutitë do hapen. Pastaj e përsëris, metodologjia mbetet për tu përcaktuar.
Ju sapo thatë se do të ketë një hetim parlamentar, që do të ketë një akses të plotë për të hetuar, kjo do të thotë që ju do të kërkoni ngritjen e një tjetër komisioni hetimor parlamentar?
Çështjet e procedurës janë çështje dytësore, në kushtet kur kërkohet një zgjidhje me vullnet të plotë politik të palëve dhe në respekt të detyrimeve që Shqipëria ka ndaj komunitetit ndërkombëtar. Sot komuniteti ndërkombëtar nuk është thjesht i shqetësuar, por është i angazhuar. Në një tryezë e cila nuk ishte tryeza e një darke që u mbyll, por tryeza që u hap për të zgjidhur një krizë që duhet të mbarojë brenda dy javësh, në rast se nuk duam që Shqipëria të përballet me pasoja krejt të pa merituara. Dhe ne, për sa na takon, nuk e duam kurrsesi një gjë të tillë. E për këtë arsye jemi të angazhuar me mish e me shpirt për ti dhënë zgjidhje kësaj krize.
Berisha dje (të premten) ka dhënë një panoramë ndryshe të gjithë situatës politike dhe zhvillimeve në Strasburg, duke përmendur sërish Kushtetutën dhe Gjykatën, në një interpretim të vazhdueshëm që nuk lejohet hapja e kutive, sipas vendimit të gjykatave....
Le të jemi të kthjellët e të mos humbasim në labirintet e fjalëve. Hetimi kërkon akses dhe do të ketë akses për të hapur kutitë. Për sa i përket fletëve të votimit ka një diskutim për të përcaktuar qasjen ndaj tyre. Por, ndërkohë, mekanizmi i Ruzhdies është lehtësisht i nxjerrshëm në dritë, pa fletët e votimit. Për fletët e votimit, nuk kemi pse ta fshehim, ka një debat dhe palët janë ende larg.
Megjithatë, ne jemi të hapur për të gjetur një zgjidhje kompromisi edhe lidhur me këtë pikë që mbetet një nyje për tu zgjidhur.
Kur flisni për zgjidhje ultimative, a keni parasysh këtu edhe problemet që kjo situatë politike mund të sjelli në procesin e liberalizimit të vizave?
Nuk dua të hyj në detaje të një tryeze, e cila sigurisht ka të gjithë transparencën e nevojshme për publikun. Por, në një proces ku negociohet është gjithashtu e rëndësishme që detajet të mos kthehen në një arsye për keqkuptime, duke penguar procesin e negocimit.
Në këtë fazë që jeni, Partia Socialiste është e gatshme të marrë pjesë në mënyrë të plotë në parlament?
Partia Socialiste është e gatshme të bëjë të gjitha detyrat e saj karshi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar dhe është thellësisht mirënjohëse për gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që mori gjatë gjithë kësaj faze protestash intensive nga qytetarët, dhe qytetarët e këtij vendi dhe për të gjithë ndjeshmërinë që komuniteti ndërkombëtar shprehu, duke hapur një tryezë, që kurrë më parë nuk është hapur për të zgjidhur një çështje shqiptare.
Për të qenë më të qartë, javën tjetër deputetët e PS-së do të marrin pjesë nëpër komisione?
Për të qenë më të qartë, javën e ardhshme do të ketë një zhvillim intensiv negociatash me përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar.
Cilat janë dallimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për çështjet e kutive me fletët e votimit. Ju thatë gjithashtu se jeni të gatshëm të bëni kompromise për këtë gjë. A jeni të gatshëm për hir të kompromisit të zbatohet pika 6 e nenit 178?
Jo. Unë dua t'ju rikujtoj edhe njëherë tjetër që deri përpara pak ditësh kutitë ishin tabu. Kjo tabu ka rënë, kutitë do hapen. Ndarja e dokumentacionit zgjedhor nga fletët e votimit është një çështje që nuk e cenon thelbin e problemit që kishte të bënte me domosdoshmërinë për të nxjerrë në dritë mekanizmin e deformimit të vullnetit të popullit.
Dhe për më tepër besoj se në këtë moment ku jemi, na duhet të shikojmë më shumë vëmendje sesa të mëdha janë interesat e vendit dhe të publikut dhe sesa e padrejtë do të ishte që këto interesa të cenoheshin për shkak të një kokëfortësie që ne nuk e kemi.
Ju prisni që brenda këtyre dy javëve, meqenëse është dhënë një periudhë ultimative, sipas deklaratës suaj për zgjidhjen e krizës, të nisë pa humbur kohë hetimi me kutitë e materialeve zgjedhore në parlament, me komisionin që ka votuar parlamenti apo me një komision të ri hetimor parlamentar?
Unë pres që çështja të zgjidhet në parim dhe sigurisht me zgjidhjen e çështjes në parim të fillojë hetimi parlamentar.
Nëse PS dhe PD nuk arrijnë të gjejnë kompromisin, a është e gatshme opozita që të rinisë protestat?
Ne nuk ndalemi dhe ne nuk zmbrapsemi. Por, ne jemi shumë të vetëdijshëm, se duhet të shfrytëzojmë çdo shans dhe mundësi që jepet për zgjidhjen e krizës. Dhe sigurisht pavarësisht nga një propagandë e shthurur që është bërë në adresën tonë, duke thuajse u lutur pushteti që protesta jonë të degjeneroj në dhunë, ne asnjëherë nuk e kemi menduar zgjidhjen si një moment që do të vijë nëpërmjet rrugës. Ne zgjidhjen e kemi menduar si një moment që do të vijë nëpërmjet tryezës. Por, për sa kohë kjo na është mohuar, ne kemi qëndruar fort në një rezistencë, që e keni parë ju, e ka parë populli shqiptar, e ka parë mbarë bota demokratike. Dhe s'ka asnjë dyshim që jemi të gatshëm të vazhdojmë të rezistojmë, ashtu siç rezistuam sa pa u hapur tryeza, në rast se tryeza do të mbyllet pa sukses.
Z. Rama, ju thoni që jeni të gatshëm që të rinisni protestat, por thatë gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu i shqetësuar për situatën që po kalon Shqipëria. Në këtë tryezë u shpreh shqetësimi për gjetjen e një kompromisi për transparencën e zgjedhjeve apo edhe për qëndrimet radikale që ka mbajtur opozita, si greva e urisë për shembull?
Më lejoni që për hir të respektit, e përsëris për tryezën dhe për një arsye thjesht etike, unë të mos jap detaje nga një bashkëbisedim i gjerë, i gjatë, intensiv, i apasionuar dhe i tensionuar.
Z. Rama, kryeministri Berisha nuk e ruajti këtë lloj etike dhe në fund deklaroi se të pranishmit ju kërkuan juve që të paguanit darkën?
Secili ka etikën e tij. Në rast se ju mendoni që z. Berisha nuk e ka ruajtur këtë etikë, kjo është një çështje e zotit Berisha. Për sa i përket pagesës së darkës, unë e thashë kur e dëgjova, mu kujtua ajo shprehja: "kërcen prifti nga belaja".
Në momentin që bie dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, kutitë e fletëve të votimit do të digjen apo do të pritet vendimi i Komisionit të Venecias.
Ne përjashtojmë çdo mundësi që kompromisi të cenojë parimin e transparencës.
A bëhet mjaftueshëm transparencë pa fletët e votimit, pra vetëm me kutitë e materialeve zgjedhore?
Hapja e kutive është një garanci për transparencën, por përcaktimi i një metodologjie strikte dhe angazhimi për respektimin e kësaj metodologjie nga palët është po kaq me rëndësi, sepse eksperienca tregon që komisionet hetimore rëndom degjenerojnë në një hiç që thjesht neverit publikun. Ne nuk do të lejojmë që ky komision të ketë fatin e komisioneve pararendës.
Çfarë domethënë metodologji?
Nuk është e nevojshme t'i kuptoni të gjitha në një ditë, sepse janë dy javë për të kuptuar gjithçka.
Negociatat do t'i bëni në Tiranë ju edhe zoti Berisha, apo në nivel teknik? Do takoheni më në Tiranë?
Nuk mund ta them sot, mbetet për tu parë.
S'e përjashtoni dot?
Jo.
Hapja e kutive është një garanci për transparencën, por përcaktimi i një metodologjie strikte dhe angazhimi për respektimin e kësaj metodologjie nga palët është po kaq me rëndësi, sepse eksperienca tregon që komisionet hetimore rëndom degjenerojnë në një hiç që thjesht neverit publikun. Ne nuk do të lejojmë që ky komision të ketë fatin e komisioneve pararendës.