E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balla: PS mund t’i sigurojë shqiptarëve pasaportën europiane

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla deklaroi sot se një mandat i katërt i Partisë Socialiste deri në vitin 2030 do t’u sigurojë të gjithë shqiptarëve pasaportën europiane.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Balla solli në vëmendje përvojën e emigrantëve shqiptarë ndër vite, të cilët pavarësisht lirisë së lëvizjes pa viza, ende përballen me radhë të gjata dhe kontrolle të rrepta në kufijtë e BE-së.

Ai theksoi se pasaporta europiane do t’i japë fund kësaj situate dhe do t’i vendosë shqiptarët në të njëjtën pozitë me qytetarët e vendeve të tjera të BE-së.

Balla nënvizoi se pasaportizimi europian i Shqipërisë do të thotë lëvizje e lirë pa kufizime.

“Shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të japin llogari për qëllimin e udhëtimit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në BE. Çdo shqiptar do të mund të punojë pa leje pune në çdo shtet të BE-së, duke përfituar nga të njëjtat të drejta si qytetarët vendas. Studentët shqiptarë do të studiojnë në universitetet europiane me tarifa të njëjta si bashkëmoshatarët e tyre europianë”, tha ai.

Po ashtu Balla theksoi se shqiptarët do të gëzojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre në çdo institucion dhe gjykatë të BE-së.

“Do të mund të marrin shërbime sociale dhe shëndetësore njësoj si qytetarët e vendeve të tjera të BE-së”, shtoi ai.

Balla theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë vendimtare për këtë projekt ambicioz dhe u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për një mandat të katërt edhe më të fortë.

Sipas tij, vetëm kjo mazhorancë mund të bëjë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve brenda kësaj dekade.

Ai ftoi zgjedhësit të votojnë numrin 5, Partinë Socialiste në fletën e votimit.

/m.m//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›