Balla: Paga mesatare 1200 euro në sektorin publik, pensioni 400 euro në fund të mandatit të katërt

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla në seancën e sotme plenare foli për pensionet.
Balla tha se kur erdhën në pushtet skema e pensioneve ishte thuajse e falimentuar ku ishte vetëm 86 euro një pension, ndërsa tani sipas tij janë bërë ndryshime të mëdha si në pensione edhe në marrëveshje për njohje me vendet e tjera.
Ai fillimisht falënderoi senatin italian për ratifikimin unanim që i bënë marrëveshjes së pensioneve, ndërsa më tej u shpreh se në fund të mandatit të katërt synohet që pensionet në Shqipëri të shkojnë në 400 euro ku minimalja do të jetë përtej 200 Eurove.
“Në fund të mandatit të katërt 400 euro do të jetë pensioni në Shqipëri. Sa i takon pensionit minimal edhe atë në fshat synojmë ta çojmë përtej 200 euro.”
Në vitin 2013 e gjetëm skemën e pensioneve të falimentuar, i tha Balla opozitës.
“Bëhemi gati të mbyllim dhe negociatat me qeverinë greke të cilat u ndërprenë për shkak të një Beleri, Beleri dhe tani jemi gati ta mbyllim për t’i garantuar të gjithë bashkatdhetarëve tanë që janë sot atje që ai kontribut t’u njihet për efekt pensioni ku të kenë dëshirë që të jetojnë.”
Ai tha se gjatë qeverisjes socialiste janë trefishuar të ardhurat dhe se po angazhohen që të rriten edhe më tej.
“Tha njëri që foli këtu që shqiptarët sot janë më të varfër. Po si janë më të varfër kur të ardhurat për frymë nga 2013 në 2024 janë trefishuar nga momenti kur ne morëm detyrën dhe angazhohemi t’i rrisim dhe me 40% pas 11 majit. Në vitin 2013 të ardhurat për frymë ishin 3324 euro, në vitin 2024 janë 10342 euro. Janë tre herë më të larta? Se s’jeni të gjithë si Luli. Në vitin 2030 synojmë t’i çojmë të ardhurat mbi 14 mijë euro ose pothuaj 5 herë më shumë se sa i gjetëm kur juve populli shqiptar ju pushoi nga puna në 2013.”
Paga mesatare e përgjithshme u rrit me gati 2.5 herë dhe do të vazhdojë të rritet edhe të paktën 2 për qind më shumë deri në fund të këtij mandati pas 11 majit, tha Balla. “Ishte 322 euro kur populli ju pushoi nga puna dhe sot ka shkuar 777 euro dhe angazhohemi që brenda këtij mandati ta bëjmë 1 mijë euro. Paga mesatare do shkojë 1200 euro në sektorin publik në fund të këtij mandati që nisim më 11 maj. Duke filluar nga 2026 paga minimale do jetë 500 euro.”
Shpresa juaj është Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, vizioni për ndryshim i tha Balla opozitës. “Ju do humbni”
Balla përshëndeti në fillim të fjalës së tij besimtarët myslimanë që agjërojnë duke cituar edhe vargje nga Kurani: rriji larg injorantit.
/a.f/