E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Përmbytjet, vepër e pastër penale

Deputeti Taulant Balla kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisin hetimet përse nuk u shkarkuar në kohë basenet ujëmbledhëse mbi lumin Drin dhe përse nuk u prodhua energji elektrike, para se këto hidrocentrale të tejmbusheshin. Madje, Balla e ka vlerësuar si vepër penale këtë ngjarje. “Deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zone”, theksoi ai. Balla tha se liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, për të mos prodhuar energji, por për t’i zbrasur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia. “Ne importuam dhe vazhdojmë të importojmë energji nga Serbia, megjithese në Shqipëri mund të prodhonim mjaftueshëm.I kujtoj sot qytetarëve shqiptarë se një pjesë e energjisë super të shtrenjtë që ne kemi paguar deri pak muaj më parë e sillte në Shqipëri miku i vjetër serb i Sali Berishës Fazlliç”, vijoi ai.                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›