Bumçi: Rama kërkon ta përdorë politikisht përmbytjen
Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, për përdorim politik të fatkeqësisë natyrore të ndodhur në Shkodër. Kryetari i PD-së së Tiranës, deputeti demokrat Aldo Bumçi, në një deklaratë për mediat, theksoi se Rama nëpërmjet shpifjeve po kërkon ta kthejë në aset politik përmbytjen e mijëra hektarëve tokë në Veri të vendit. “Edvin Kristaq Rama pasi kaloi vakancat e zgjatura në kulmin e fatkeqësisë natyrore në Paris dhe plazhet e deteve të nxehta ndërmori fushatën më të egër të shpifjes dhe po përpiqet të manipuloje fatkeqësinë natyrore të përmbytjes në Shkodër”, deklaroi Bumçi. Sipas tij, Rama po krijon në Veri struktura paralele për ndihmë ndaj qytetarëve. Po kështu Bumçi i kujtoi Ramës dhe përmbytjen e një pjese të Tiranës, si pasojë e hapjes së digës së liqenit artificial. Në përfundim të deklaratës së tij, Bumçi theksoi se Shkodra nuk mund t’i besoj’ Edi Ramës në asnjë nga shpikjet dhe mashtrimet, që ai mundohet të përcjellë.
#