E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla: Prokuroria të verifikiojë kandidatin e PD në Durrës, Rezart Tusha

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shkruan se kreu i PD, Lulzim Basha, po merr në mbrojtje trafikantin Rezart Tusha, “njëlloj sikur ju fsheh vetë drejtësisë për aferat korruptive apo vrasjet e 21 Janarit”. Zoti Balla i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të verifikojë menjëherë të dhënat e publikuara dhe KQZ dhe ta përjashtojë menjëherë nga kandidimi  Rezart Tushën, nga lista e PD-së në Durrës. Balla shkruan se fshehja e të dhënave, siç përcakton ligji i dekriminalizimit, është vepër penale dhe duhet ndjekur penalisht.

“Ligji i dekriminalizimit kërkon moskandidimin dhe mosmarrjen në mbrojtje nga partitë e tyre të personave të dënuar, subjekte të Ligjit. Kandidati i Partisë Demokratike Rezart Tusha në Durrës, rezulton i arrestuar në Zvicër për trafik heroine. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të verifikojë menjëherë të dhënat e publikuara dhe KQZ ta përjashtojë menjëherë nga kandidimi. Fshehja e të dhënave siç përcakton Ligji është vepër penale dhe duhet ndjekur penalisht. Lulzim Basha mban përgjegjësi që po merr në mbrojtje një trafikant të rëndomtë. Heqja e mbrojtjes politike është shembulli që ne kemi dhënë gjithmonë në çdo rast kur Drejtësia ka ngritur akuzë ndaj çdo përfaqësuesi tonë. Lulzim Basha po merr në mbrojtje trafikantin Tusha, njëlloj sikur ju fsheh vetë drejtësisë për aferat korruptive apo vrasjet e 21 Janarit”, shkruan Balla.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›