Balla: Qeveria dhe Policia kanë humbur luftën me kriminalitetin
Tiranë- Deputeti socialist Taulant Balla ka fajësuar sot qeverinë për bilancet tragjike të aksidenteve të mujave të fundit duke theksuar se ato janë provë e mirëfilltë se shteti ka rënë.
500 qytetarë kanë humbur jetën dhe janë plagosur vetëm në tre muajt e fundit, janë prova më tragjike se shteti ka rënë. Vetëm në Sirinë e Asadit dhe Shqipërinë e Saliut është regjistruar në këto muaj një bilanc kaq tragjik jetësh të humbura. 500 të vdekur e të plagosur nga krimi e aksidentet janë prova më dramatike se Sali Berisha dhe tufa e militantëve e badigardëve që drejtojnë sot Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit, kanë dështuar totalisht të garantojnë sigurinë e jetës dhe pronës të qytetarëve shqiptarë.- u shpreh Balla në një deklaratë për shtyp.
Sipas Ballës vrasjet, plagosjet, vjedhjet me dhunë, vjedhjet e makinave, transformatorëve, të shinave të trenit, grabitjet me armë të dyqaneve e bankave janë kthyer tanimë në një epidemi të vërtetë dhe shteti sipas ka kapitulluar përballë krimit.
Deputeti socialist ia ka bashkangjitur akuzat edhe Policisë së Shtetit duke deklaruar se ato janë treguar të paafta të garantojnë sigurinë publike në rrugë dhe në komunitet.
Policia e Shtetit ka humbur besimin e qytetarëve sepse në vend që të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve ajo është kthyer tanimë në një strehë militantësh e individësh me precedentë kriminalë e të përfshirë në grupe kriminale, në krye të të cilëve qëndrojnë badigardët e Saliut apo kamikazë si Flamuri. A ka mundësi të sqarojë Sali Berisha, se çfarë arritjesh në luftën kundër krimit e mbajnë në krye të Policisë së Shtetit ish-bodyguardin e tij Agron Kulicin? E çfarë besimi mund të kenë qytetarët, çfarë frike mund të kenë sot kriminelët nga një polici zyrtarë të lartë të së cilës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm tani President, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Zëvendës Drejtorin e Policisë për lidhje të drejtpërdrejta me grupe kriminale. ka vijuar më tej Balla.
Ai më tej ka kërkuar llogari publike kryeministrit për moszbardhjen e ngjarjeve të vrasjes deputetit Fatmir Xhindit, kryekomunarit Remzi Veseli dhe vrasjen e gjyqtarit Skerdilaid Konomi.
/IDEA/