Balla-Topalli, replika për diplomat: Dorëzoj mandatin nëse ke pasur mesatare më të lartë se unë
Deputeti socialist Taulant Balla dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, janë përplasur për të disatën herë me njëri-tjetrin. Këtë radhë shkak janë bërë diplomat dhe rezultatet gjatë studimeve.
Balla është ngritur në foltoren e Kuvendit për të diskutuar mbi ndryshimin e ligjit për arsimin, por në këto momente është ndërprerë nga ana e Topallit. Kaq është dashur që mes tyre të nisin disa replika, aq sa Balla, duke ironizuar Topallin, ka thënë se do të dorëzonte mandatin e deputetit, nëse kjo e fundit do të kishte mesatare më të lartë se ai.
Debati
Topalli: Pse nuk ke marrë edhe Kurbanin, ta kishe vënë aty sipër.
Balla: Kërkova dhe doktoraturën tënde, po nuk gjendet në asnjë kopje. Po mirë ke bërë se me këto skandale që kanë plasur me shumë mundësi edhe doktoratura jote mund të ketë qene e kopjuar.
Topalli: U kërkoj deputetëve të sjellin mesataren e gjimnazit dhe pastaj mesataren e universitetit. Do shohim gjëra nga më të pabesueshmet. Më sillni mesataret dhe diplomat. Ua kërkoj publikisht se nuk propanoni të mi sillni. Diplomat ku i keni marrë? Doni transparence? Thoni shqiptarëve kush jeni? Sa e ke pas mesataren ti, 5 apo 6 (i drejtohet Ballës?
Balla: Shansi keq me ty që qëllove me mua. Po e pate mesataren më të lartë se unë, unë e lëshoj mandatin si deputet.
Topalli: O pikë e zezë me u krahasu me ty.
Balla: Të gjitha 10.
Topalli: Në cilin katund e ke 10.
Balla: Kam mbaruar Universitet Ndërkombëtar.