Standardi i dyfishtë i Bodes, për Lotarinë Kombëtare ska rëndësi çmimi, kurse për interkonjeksionin me Kosovën kishte
Ministri i Finacave, Ridvan Bode, gjatë një konference për shtyp, është përpjekur të zbusë skandalin me tenderin për Lotarinë Kombëtare. Sipas tij, nuk ka rëndësi çmimi i shitjes, por siguria e kompanisë që do të fitojë këtë tender.
Në një aktivitet të tillë delikat nuk është qëllim primar çmimi i licencës. Duke pasur parasysh që kishim të bënim me një biznes të veçantë, masën e publikut që i drejtohet ky biznes, rrezikun që mbart ky aktivitet nëse bie në duart që duan ta shfrytëzojnë për qëllime joligjore, dhe janë jo pak në rajon. Parësore për qeverinë dhe Ministrinë e Financave kanë qenë zgjedhja e një operatori që të jetë i sprovuar në integritetin e tij, tha Bode.
Justifikimi i Bodes është pa kuptim, duke qenë se dy kompanitë e përjashtuara padrejtësisht nga tenderi, Intralot dhe Inteltek, janë lider në këtë sektor dhe të shtrira në gjithë botën. Pra, nuk janë kompani fantazëm, si shumë të tilla që përfitojnë tendera në vendin tonë.
Për më tepër, pavarësisht se Bode thotë që çmimi nuk ka rëndësi, ai ka shumë, pasi bëhet fjalë që qeveria shqiptare po humbet me qëllim rreth 40 milionë euro.
Kjo, duke qenë se qeveria ka vendosur që ta shesë Lotarinë Kombëtare për 3.5 milionë euro, në një kohë që në Maltë, e cila ka një popullsi 5 herë më të vogël se Shqipëria, ajo është shitur për 39 milionë euro. Nëse për ministrin Bode kjo diferencë prej dhjetëra milionë euro nuk ka rëndësi, për shqiptarët ka.
Për Boden ky është standard i dyfishtë pasi për linjën e interkonjeksionit me Kosovën, ai dhe Berisha bëri namin duke thënë se duhet të fitojë kompania me çmimin më të ulët, edhe pse për atë investim rëndësi primare ka përgatitja teknike e kompanisë.
