E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla e Malaj ribashkohen me kolegët

06/05/2010 Greva e urisë

Deputetët e Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Arben Malaj, menjëherë pas kthimit nga Brukseli i janë rikthyer grevës. Kështu, që në orët e para të ditës së djeshme, dy deputetët socialistë u janë rikthyer ambienteve ku po zhvillohet greva e urisë, për të rimarrë sërish një sakrificë të tillë. Dy ligjvënësit socialistë e patën ndërprerë grevën, pasi ndodheshin në Bruksel, në takimin e Komitetit ndërkombëtar të Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, takim ky që nuk arriti në një marrëveshje. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, përpara se të futej në çadrat e ngritura nga grevistët u shpreh se “në mbajtje të fjalës dhe në mbajtje të respektit të kolegëve të mi dhe mbështetësve të PS-së që ndodhen në grevë urie, i rikthehemi grevës bashkë me kolegun tim Arben Malaj. Kjo grevë do të ketë po aq sukses, sa pati greva e urisë e vitit 1991”. Njëzet e një deputetë grevistë dhe 180 mbështetës të tyre kaluan një tjetër natë të grevës së urisë në çadrat para godinës së Kryeministrisë, ku janë vendosur që prej natës së 30 prillit për përmbushjen e kauzës për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Mes protestuesve është dhe 19-vjeçari Romeo Sina, djaloshi i cili dy ditë më parë, për shkak të grevës së urisë shfaqi komplikacione që i rrezikuan jetën. Por pasi ndërpreu për disa orë grevën, i është rikthyer sërish asaj, duke deklaruar se është i vendosur të shkojë gjer në fund, pavarësisht se mjekët i thonë të ndërpresë grevën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›