E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat, tejkalohen të ardhurat për katër-mujorin

06/05/2010 Rimëkëmbet tregtia. Mblidhen rreth 35 milionë dollarë më shumë

Katër-mujori i parë i 2010-ës ka sjellë rritje të të ardhurave të arkëtuara nga doganat shqiptare, rreth 35 milionë dollarë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave është tregues i rimëkëmbjes së tregtisë me jashtë, si nga krahu i eksporteve, ashtu dhe importeve. Administrata doganore shqiptare në katër-mujorin e parë të vitit 2010 arkëton 34 miliardë lekë nga 30.5 miliardë të arkëtuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje absolute në 3.5 miliardë ose 12 për qind më shumë. Drejtori i sapoemëruar në dogana, Flamur Gjymishka, deklaroi dje se ka pasur një rritje të ndjeshme të volumit të eksporteve. "Në muajt mars 2010, administrata doganore shqiptare arkëtoi 9.9 miliardë lekë nga 9.3 të planifikuara, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 106 për qind. Krahasuar me muajin mars 2009, në muaji mars 2010 janë arkëtuar 2.13 miliardë lekë më tepër, ose 27.4 për qind më shumë. Në muajin prill 2010, administrata doganore shqiptare arkëtoi 9.5 miliardë lekë nga 9.3 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar planin e te ardhurave në masën 102 për qind. Gjatë 4 mujorit të parë të vitit 2010 është regjistruar volumi i eksporteve shqiptare i shprehur në sasi, në 557 mijë ton, nga 339 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 218 mijë tonësh, ose 64 për qind më shumë", tha Flamur Gjyrmishaj, Drejtori i ri i përgjithshëm i Doganave. Kontributin më të madh e kanë dhënë eksportet shqiptare, të cilat u rritën ndjeshëm si në sasi ashtu edhe në vlerë. Gjatë katër-mujorit të parë të 2010 është regjistruar volumi i eksporteve shqiptare e shprehur në sasi në 557 mijë ton nga 339 mijë ton të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›