E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i lëkurës në rritje numri i të prekurve

06/05/2010 Dermatologët ngrenë shqetësimin për rritjen e masave mbrojtëse ndaj rrezeve diellore

Nëse nuk sigurohet mbrojtja e duhur, rrezet e diellit mund të bëhen shumë të dëmshme për lëkurën. Nuk janë të pakta rastet kur këto rreze bëhen shkaku kryesor i shfaqjes së kancerit të lëkurës ose melanomës siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore. Sëmundje kjo që mund të shoqërohet edhe me pasoja fatale për jetën e pacientit. Ndonëse nuk ka studime të mirëfillta në lidhje me përhapjen e kësaj sëmundjeje në vendin tonë, pohohet se shtimi i rasteve të evidentuara me melanomë ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Madje, në shumë raste kjo sëmundje është parë si shkaku i rritjes së shkallës së mortalitetit. Lidhur me këtë problem shefja e shërbimit të dermatologjisë, në qendrën më të madhe spitalore në vend “Nënë Tereza”, Ermira Vasili ka pohuar gjatë ditës së djeshme se fatkeqësisht edhe në Shqipëri kanceri i lëkurës po shfaqet në forma të rrezikshme. Përkundrejt kësaj situate është kërkuar që të rishitet edhe mundësia e zhvillimit të një studimi statistikor që të tregojë se sa për qind e popullatës, vuan nga kjo sëmundje, kjo në mënyrë që të merren masat e duhura parandaluese. “Është e vështirë sepse nuk ka një studim të mirëfilltë epidemiologjik, që besoj në të ardhmen do të jetë i pranishëm. Por mund të them që në vizitat e përditshme vëmë re një rritje të rasteve me melanomë. Ndaj këshilloj veçanërisht të gjitha nënat që të tregohen të kujdesshme në mbrojtjen e fëmijëve të tyre nga rrezet e dëmshme të diellit dhe duke shmangur djegiet që vijnë prej tyre. Kjo sepse melanoma nuk shfaqet vetëm me daljen njëherë në diell, por dhe nga doza e akumulimit të diellit gjatë viteve", pohon Vasili. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara, rezulton se më të prekur nga kjo sëmundje rezultojnë të jenë meshkujt, si dhe vendet që kanë popullsi të bardhë. Shkak për këtë bëhet fakti që lëkura e tyre është shumë më e ndjeshme ndaj rrezatimeve të dëmshme diellore. "Meshkujt preken pak më shumë se femrat, preken më tepër popullata e bardhë, që ne i themi fototipi i parë, d.m.th., biondet me sy bojeqielli, ose me lëkurë të kuqe", shton mjekia. Sipas saj, zakonisht një i rritur ka të paktën 25 njolla të mbingjyrosura në lëkurën e tij. Këto të fundit mund të shndërrohen në forma të rënduara gjatë rënies në kontakt me rrezet e diellit, duke u shndërruar në forma kanceroze. Kanceri i lëkurës është forma më e shpeshtë e kancerit. Po ashtu edhe në vendin tonë diagnostifikohen me këtë sëmundje një numër i konsiderueshëm pacientësh. Kjo pasi ne jemi një vend mesdhetar me rrezatim të lartë diellor, çka ndikon në shfaqjen e shpeshtë të kancerit të lëkurës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›