Balla i përgjigjet opozitës: Skema e pensioneve ishte në kolaps, sot askush nuk mbetet pa mbështetje

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, iu përgjigj ashpër kritikave të opozitës në Kuvend mbi politikat e qeverisë për pensionet, duke theksuar përgjegjësinë e qeverisë aktuale për të stabilizuar skemën e pensioneve dhe për të siguruar mbështetje për qytetarët e moshuar.
Balla sqaroi situatën e vështirë që trashëgoi qeveria Rama në 2013 dhe ndërhyrjet e nevojshme për të ndalur falimentimin e skemës së pensioneve.
“Qytetarët e moshës së tretë në këtë vend, një gjë e dinë: se në rast se në 2013 nuk do të kishte ardhur kjo qeveri, skema e pensioneve në Shqipëri ishte pothuajse e zhytur në një gropë të thellë falimenti,” theksoi Balla, duke përmendur masat e marra nga qeveria gjatë viteve 2014-2015 për të stabilizuar sistemin.
Në vijim, ai kritikoi ashpër opozitën për promovimin e informalitetit në ekonomi, duke argumentuar se qasja e saj ka dëmtuar skemën e sigurimeve sociale:
“Cili ka qenë programi elektoral i PD për 30 vite e kusur? Shtetit bëni naftën, ndërtoni ku të doni, mos paguani sigurime. Ata që në ‘92 ishin 35 vjeç, sot janë në moshë pensioni, nuk kanë paguar asnjë sigurim dhe kërkojnë pension. Dhe kjo qeveri ka marrë përsipër që të mos lërë askënd vetëm, sepse jemi të majtë, jemi Partia Socialiste. Edhe atyre që nuk kanë paguar asnjë kontribut, do t’u japim një mbështetje minimale, pasi nuk mund t’i lëmë pa përkrahje”, tha Balla, duke ftuar opozitën për bashkëpunim ndaj politikave të qeverisë për formalizimin e ekonomisë.
/a.f/r.e/