Balla komenton ndryshimet në qeveri :“Vlerësoj punën e Cakajt, 2020 vit suksesi për diplomacinë shqiptare”

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherazi kryetari i grupit parlamentar të saj Taulant Balla e vlerëson 2020 si vitin më të suksesshëm të diplomacisë shqiptare, ndaj dhe vlerësimet për ministrin në detyrë të dorëhequr i ka të larta. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë Balla komentoi ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar duke u ndalur tek puna e Gent Cakajt.
“Unë jam anëtar i grupit parlamentar dhe kur një nga anëtarët e grupit përzgjidhet për të qënë pjesë e kabinetit të këshillit të ministrave mendoj që është një gjë e mirë. Gjej rastin ta vlerësoj punën e zotit Cakaj gjatë gjithë kësaj periudhe që ai ka qënë ministër në detyrë. Kujtoj këtu që për shkak të kapricove të Ilir Metës Shqipëria ishte e detyruar të kishte një ministër në detyrë për shkak të mungesës së dekretit të Presidentit, mungesë e papërligjur. 2020 ka qënë një vit shumë I rëndësishëm I diplomacisë shqiptare me një rol të padiskutueshëm të suksesshëm në krye tëo OSBE-së.”- tha Balla.
Nga ana tjetër ai uroi edhe dy ministrat e tjerë të sapoemëruar, Xhaxhka dhe Peleshi.
“I uroj dy ministrave të rinj të cilët kanë marrë dy portofole të rëndësishme atë të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Sapo Kuvendi i Shqipërisë t’i miratojë dekretet, shpresoj që nuk është rasti për të paraprirë ndonjë surprizë por dekretet do të miratohen në mbledhjen e fundit të kësaj legjislature dhe të vazhdojnë angazhimin e rëndësishëm të Shqipërisë.”- theksoi Balla në Përballë.