Balla me strukturat në Gjirokastër: Kur ligjet shkelen nga efektivët, pasojat janë shumëfish më të rënda

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për ndryshime.
Gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, Balla ka theksuar se efektiviteti i punës së policisë nuk varet vetëm nga forca e tyre, por edhe nga forca e ligjit.
“Siç e kam bërë të ditur gjatë kontakteve të mia të para me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të institucioneve, por edhe me qytetarë në të gjithë territorin e vendit, Policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për disa ndryshime në vizionin dhe misionin e tyre. Kam konstatuar se publiku dhe qytetarët i kanë mirëpritur këto qasje të reja në raportet e Policisë me ligjin dhe qytetarët.
Duhet t’i japim më shumë prioritet komunikimit, bashkëpunimit e partneritetit me qytetarët dhe funksioneve edukuese të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese.
Eficenca e punës së Policisë nuk varet nga forca e policit, por nga forca e ligjit. Policia duhet të jetë më shumë vetëkorrigjuese dhe duhet të perceptohet vetëm dhe vetëm si simbol i ligjshmërisë. Polici duhet të jetë një model, një referencë për qytetarët”, është shprehur Balla.
Ai ka nënvizuar faktin se shkelja e ligjit nga ana e policisë ka pasoja shumëfish më të rënda se sa kur ligji shkelet nga qytetarët. Për këtë arsye, sipas tij, ka vend për përmirësime në radhët e Policisë së Shtetit.
“Në çdo rast shkelja e ligjit ka pasoja të rënda për shoqërinë, por kur ligjet shkelen nga policët, pasojat janë shumëfish më të rënda. Kjo trondit besimin publik jo thjesht te policia, por te shteti dhe ligji.
Por këto përmirësime në vizionin dhe misionin e Policisë nuk realizohet thjesht sepse i kërkoj unë apo i mbështesin qytetarët. Ato kërkojnë edhe një mbështetje ligjore dhe ne do të fillojmë të punojmë për këtë”, tha Balla.
/rtsh.al/