Sherr në Himarë mes dy kushërinjve dhe dy vëllezërve, qëllohet me armë në ajër. Në pranga 2 prej tyre

Policia ka vendosur në pranga 2 persona dhe ka proceduar dy të tjerë në gjendje të lirë ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas një konflikti fizik të ndodhur në Himarë.
Përplasja mes tyre ka ndodhur në ambientet e një lokali, për motive të dobëta ndërsa është qëlluar edhe me armë zjarri në ajër.
Në aksionin e saj policia ka sekuestruar 2 armë gjahu, 1 krehër armë zjarri pistoletë, 1 shenjestër optike për snajper, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Buneci”, në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. V., 42 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” (aktualisht ndodhet në spital, në ruajtje nga shërbimet e Policisë, pasi ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit);
-N. L., 44 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.
U shpall në kërkim shtetasi A. V., 46 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Punohet për kapjen e tij.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit N. L., 40 vjeç, dhe A. L., 38 vjeç, të dy banues në Himarë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta shtetasit E. V. dhe A. V. (kushurinj) janë konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasit N. L. dhe A. L. (vëllezër), dhe më pas i kanë kanosur këta të fundit, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në ambientet e lokalit të shtetasit N. L., i cili ka tentuar ta fshehë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/