Balla:Romët u dëbuan me dhunë nga njerëzit e pushtetit

Partia Socialiste ka reaguar sërish sot për dëbimin e disa familje rome nga njё fushё ku ishin vendosur nё afёrsi tё stacionit tё trenit nё kryeqytet.
Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Taulant Balla theksoi se heshtja e qeverisë, e Ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit mbi dëbimin me armë të familjeve rome flet qartë.
“Romët u dhunuan e më pas u larguan forcërisht nga njerëz të armatosur të cilët gëzojnë mbrojtjen e Saliut dhe Lulit. Këta qytetarë të Republikës së Shqipërisë u dëbuan për të çliruar trojet ku Saliu dhe kandidati i tij për Tiranën duan të ndërtojnë pallate me klientelën e pushtetit të tyre” theksoi Balla.
Sipas tij heshtja e qeverisë dhe mos kryerja e detyrave nga forcat e rendit flasin tepër qartë se pushteti po vjedh çdo pasuri të shqiptarëve.
“ Të gjithë duhet të jemi në këmbë në çdo mundësi e moment për ti thënë ndal dhunës së hapur e të fshehtë të shtetit kundër qytetarëve” theksoi Balla duke shtuar se Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të rivendosur drejtësinë e munguar si pasojë e këtij pushteti kriminal, për të luftuar varfërimin e të gjithë qytetarëve ndërsa oborri pasurohet, për të zmbrapsur papunësinë ndërsa ky pushtet zhytet në matrapazllëqe dhe kusari.