Rritja e çmimeve, Bushati: Qeveritarët janë të vetmit përfitues

Partia Socialiste ka reaguar sërish sot për rritjen e çmimeve në tregun e ushqimeve. Në një dekalratë për shtyp sekretari për çështjet ekonomike në PS Ervin Bushati theksoi se qeveria nuk tregon të vërtetën për rritjen e çmimeve të ushqimeve në treg, sepse nuk punon më për shqiptarët, por punon për vete.
Gjatë fjalës së tij ai tha se, “Është koha që të hapen letrat, në mënyrë që qytetarët të shohin të vërtetën përtej “ylberit ekonomik” të kryeministrit, sajuar përditë në farsa televizive. Vetëm kështu shqiptarët mund të gjykojnë vetë nëse qeveria punon për popullin apo Qeveria punon për qeveritarët”.
Bushati theksoi se, Qeveria fabrikon statistika për rritje të çmimeve të ushqimeve në treg me vetëm 5 lekë në 100, edhe atëherë kur Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimet (FAO) dhe Banka Botërore dhe çdo index ndërkombëtar tregon që çmimet e ushqimeve janë rritur të paktën 4 deri në 5 herë më shumë se kaq në një vit.
“Për kë punon kjo qeveri, ndërsa merret me privatizime në favor të interesave që janë ulur në prehërin e saj, dhe nuk i intereson papunësia e frikshme e të rinjve shqiptar?? Asnjë rast i vetëm privatizimi a investimi strategjik prej “1 Euro” nuk ka punësuar ndonjë numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Për kë punon kjo qeveri, ndërsa merret me trafik nafte brenda vendit dhe nuk merret me çmimet e karburanteve që kanë vajtur në qiell??” theksoi Bushati.
Bushati gjithashtu theksoi se interesi kryesor dhe i vetëm i kësaj qeverie që fsheh realitetin e dhimbshëm të familjeve shqiptare është, përfitimi për njerëzit e pushtetit, ndërsa monopolet e qeveritarëve janë të vetmit përfitues në këtë treg që sipas tij, njeh vetëm rritje çmimesh.